Daniel Shima, ish-zëvendës drejtor përgjithshëm i i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), është rikthyer në shtëpi pas denoncmimit të familjarëve për humbjen e tij.
Policia e shtetit ka bërë me dije se Shima, 34-vjeç, është paraqitur në komisariatin numër 1 rreth orës 2 pas mesnate ku ka deklaruar se ishte larguar me dëshirë.
Sakaq, Balkanweb ka zbardhur deklaratën e Shimës në polici, i cili ka treguar se është larguar në drejtim të Jugut pas një konflikti me partneren.
Për 10 orë, policia e shtetit ka gjurmuar lëvizjet e 34-vjeçarit nga kamerat e sigurisë duke nisur nga momenti që Shima hipën në makinën e tij në zonën e Qytetit Studenti, deri në hyrje të tunelit të Elbasanit.
“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për kallëzimin e shtetases M. Sh, për humbjen ekontakteve me djalin e tij, shtetasin D. Sh., 34 vjeç, bëjmë me dije se rreth ores 02:00, ky shtetas është paraqitur në Komisariatin e Policise Nr. 1 dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tijMaterialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Shima u denoncua si i zhdukur ditën e mërkurë nga nëna e tij, e cila u njoftua nga partnerja e të birit dhe avokatja e tij se Danieli i kishte dërguar një sms në të cilin shkruante: “Po më arrestojnë”.
Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë rreth udhëtimit të Shimës drejt Elbasanit, personave të takuar përgjatë 10 orëve të “zhdukjes” apo mesazhit të dërguar ndaj partneres për arrestimin e tij.
Emri i ish-zyrtarit është lakuar më herët pasi është thirruar në SPAK lidhur me tenderat e dyshimtë të zhvilluar nga AKSHI.