Serbia liron dy vëllezërit shqiptarë: U arrestuan si anëtarë të UÇK

Dy vëllezërit shqiptarë Bashkim dhe Xhemajl Emini janë liruar së fundmi në Serbi pas arrestimit në datën 14 gusht në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë.

Të akuzuar për krime lufte si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata janë lënë të lirë, lajm që është konfirmuar nga familjarët e tyre.

“Janë liruar, janë shëndosh e mirë. Kanë shkuar në Gjermani, në vend të vet”, tha për Radion Evropa e Lirë, Jusuf Emini, vëllai i tyre. Bashkimi është liruar tre ditë më parë ndërsa Xhemajli një ditë më parë. Sakaq ky lajm nuk është konfirmuar ende nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Vëllezërit Emini u ndaluan në pikën kufitare të Horgoshit me pretendimin se kanë kryer krime lufte nën emblemën e UÇK. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë i akuzoi se në vitin 1999, kanë rrëmbyer një shtetas serb me inicialet J.M. në Rahovec, e kanë dërguar në një drejtim të panjohur dhe që prej atëherë nuk dihet asgjë për të.

Ndalimi i tyre ndodhi në kohën kur autoritetet serbe kanë shpeshtuar ndalimet e shqiptarëve të cilët i akuzojnë se kanë bashkëpunuar ose kanë qenë pjesë e UÇK-së.