Disa vatra të reja zjarri kanë pushtuar vendin teksa duket se lufta me flakët nuk ka të ndalur.
Tre zona në Fushë-Arrëz, qarku Shkodër, janë përfshirë nga zjarre të mëdha teksa forcat zjarrfikëse janë në vendngjarje. Situata duket kritike në pyjet pranë fshatit Kryezi ku era e fortë ka ndihmuar në përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Kreu i Pyjores, Artmir Doda, u shpreh se situata është e vështirë dhe kërkoi ndihmën e Ushtrisë dhe banorëve. Ai tha se janë 3 vatra aktive që po djegin sipërfaqe me bimësi, pyje e kryesisht pisha.
“Zjarri në Kryezi favorizohet nga era dhe rrezikon banesat, kërkojmë ndihmë për të shuar flakët dhe shpëtuar jetët. Dyshojmë se është zjarr i qëllimshëm”, tha ai.
Bashkia Fushë-Arrëz ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga ajri për shkak të terrenit të vështirë si dhe ka kërkuar mobilizimin e banorëve, duke qenë se flakët kërcënojnë tashmë edhe shtëpitë e fshatit.
Situata shqetësuese me zjarret paraqitet gjithashtu në Dukat, ku flakët kanë pushtuar pyjet në kodrën e fshatit.
Banorët janë angazhuar menjëherë për shuarjen e tyre me mjete rrethanore të ndihmuar edhe nga nje autobot, ndërkohë që është kërkuar ndihma e Emergjencave Civile.