Kryedemokrati Sali Berisha ka dalë ditën e sotme në një deklaratë për mediat ku ka folur për “zhdukjen” 10-orarëshe të ish-zyrtarit të AKSHI Daniel Shima, për të cilin u shpreh se është kërcënuar që të heshtë.
“Hape gojën po deshe, e ka plumbin mbas veshi ai. Çfarë flet. Ai pa atje që mund ta varrosnin të gjallë në bodrum. I thanë kaq, nuk po e bëjmë këtë. Se ata kishin hallin e tyre se u bë zhurmë. Po fole do pësosh atë.”- u shpreh Berisha.
Kreu i opozitës gjithashtu shprehet se kanë qenë mediat ato që e kanë shpëtuar Shimën, për shkak të raportimit të vazhdueshëm dhe bujës që bëri lajmi për zhdukjen e tij.
“Tani nuk flet ai. Se ai po të ishte njeri i lirë, ai del dhe falënderonte mediat që ndoqën çdo minutë gjendjen e tij dhe e shpëtuan. Nuk e injoruan ‘SOS-in’ e tij. Nuk flet dot ai!”-deklaroi ish-kryeministri.
Ish-zyrtari i AKSHI, Daniel Shima, u denoncua si i zhdukur nga nëna e tij ditën e mërkurë, pasi 34-vjeçari i kishte dërguar partneres një sms ku i shkruante: “Po më arrestojnë.”
10 orë më vonë, Shima, i cili është marrë më herët në pyetje nga SPAK për tenderat e AKSHI, u paraqit në polici ku deklaroi se ishte larguar drejt Jugut pas një konflikti me partneren.
Sakaq, kamerat e sigurisë të sekuestruara nga uniformat blu, tregojnë Shimën që udhëton me makinën e tij në drejtim të Elbasanit.