Blinken: Uashingtoni i hapur për diplomaci mbi Ukrainën, por e vështirë nëse nuk ulen tensionet

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se Uashingtoni ia ka bërë të qartë Kievit se do t’i mbështesë përpjekjet e tij për zgjidhje diplomatike me Rusinë, por ai shtoi se rruga diplomatike do të ishte e vështirë pa një ulje të tensione ushtarake.

Në një koment drejtuar popullit rus, zoti Blinken tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara e dinin se shumë prej rusëve nuk donin të kishin të bënin me vendimin e Presidentit Putin për të sulmuar Ukrainën.

Zoti Blinken tha se aktualisht ka më shumë se 174,000 refugjatë të Ukrainës që po kërkojnë strehim të sigurt në vendet aty pranë.

Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë për të mbështetur vendet që ndodhen në vijën e parë të frontit, mes tyre Poloninë, Moldavinë, Rumaninë dhe Sllovakinë.

Më herët Departamenti i Shtetit njoftoi se zoti Blinken pritet të vizitojë këtë javë Brukselit, Moldavinë edhe vendet Baltike për të zhvilluar diskutime me aleatët e NATO-s dhe partnerët evropianë mbi agresionin rus ndaj Ukrainës.

Zoti Blinken do të vizitojë Belgjikën, Poloninë, Moldavinë, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë nga data 3 deri më 8 mars.