Shqipëria i është bashkuar Bashkimit Europian në masat shtrënguese kundër Rusisë, si përgjigje për agresionin e saj ndaj Ukrainës.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi të dielën në mbrëmje, (27.02) mbylljen e hapësirës ajrore të Shqipërisë për avionët rusë. “Hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë do të jetë e mbyllur prej mbrëmjes së sotme, (27.02) për të gjithë operatorët ajrorë rusë apo çdo avion të regjistruar në Rusi, me përjashtim të rasteve kur të tilla fluturime kryen për arsye emergjence, qëllime humanitare apo mjekësore apo nevoja ndërshtetërore. Shqipëria nuk do të marrë pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës”, theksoi ajo.
Fjala është për bojkotin e ndeshjeve të futbollit në kuadër të Ligës së Kombeve, ku ekipet përfaqësuese të Shqipërisë dhe Rusisë janë në të njëjtin grup. UEFA (Union of European Football Associations) kishte njoftuar më herët se ndeshjet e futbollit me Rusinë do të luheshin në fusha të vendeve neutrale.
Burime zyrare bënë të ditur në orët e vona të së dielës se edhe FIFA ( Federation Internationale de Football Association) vendosi t’u bashkohet sanksioneve duke ndaluar himnin kombëtar dhe flamurin rus në ndeshjet e kombëtares së Rusisë në vende neutrale.
Ngrirje asetesh për qindra individë dhe dhjetëra subjekte ruse
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Xhaçka, njoftoi gjithashtu të dielën në mbrëmje, kufizime për individë dhe subjekte ruse. “Shqipëria i është bashkuar sanksioneve individuale për ngrirjen e aseteve të individëve që shkojnë nga Presidenti rus, Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, anëtarët e Këshillit të saj të Sigurisë Kombëtare që mbështetën njohjen e menjëhershme nga ana e Rusisë të dy zonave të kontrolluara joqeveritare, Donjeckut dhe Luhanskut, si entititete të pavarura dhe anëtarët e Dumës Shtetërore Ruse. Në total këto masa kufizuese do të zbatohen për 654 individë dhe 52 subjekte”, theksoi ministrja e Jashtme shqiptare.
Sanksione ekonomike, ndalim udhëtimesh në territorin shqiptar
“Sanksionet ekonomike përfshijnë masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji. Shqipëria do të ndalojë shitjen, furnizimin, transferimin ose eksportin në Rusi të mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës si edhe në industrinë e aviacionit dhe të hapësirës. Shqipëria do të vendosë kufizime për eksportet e mallrave dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë, në eksportet e mallrave dhe teknologjisë, të cilat mund të kontribuojnë në përmirësimin teknologjik të Rusisë në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë”, deklaroi Ministrja e Jashtme, Xhaçka.
Masat kufizuese përfshijnë edhe ndalimin e udhëtimeve në territorin shqiptar, “për të gjithë personat e listuar nga BE. Lidhur me politikën e vizave është në shqyrtim anulimi i politikave lehtësuese për lëvizjen e diplomatëve, zyrtarëve të tjerë rusë dhe njerëzve të biznesit”, thuhet në deklaratën e ministres Xhaçka. Krahas mbylljes së hapësirës ajrore për avionët rusë dhe masave kufizuese ekonomike dhe financiare, Ministrja Xhaçka, deklaroi se “Shqipëria do të vazhdojë t’i bashkohet çdo nisme dhe mase të aleatëve dhe partnerëve të saj, si një detyrim që ꞔdo vend demokratik ka sot ndaj Ukrainës, ndaj shoqërive, popujve dhe të ardhmes së fëmijëve tanë.”
Burimi: DW