Nesër bisedimet Ukrainë-Rusi, Putin alarmon botën: Në gatishmëri forcat bërthamore!

Ukraina ka rënë dakord për zhvillimin e bisedimeve me Rusinë në Bjellorusi në ditën e katërt të luftimeve.

Me një postim në Instagram, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy njoftoi se delegacioni i Ukrainës është nisur dhe takimi me delegacionin rus do të zhvillohet në kufirin mes Ukrainës dhe Bjellorusisë, në Pripyat. Bisedimet Ukrainë-Rusi zhvillohen të hënën në mëngjes, tha Zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Evgeny Yenin.

Nga ana tjetër, Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar ushtrinë ruse të vendosë në gatishmëri të plotë sistemin e saj të mbrojtjës ndaj forcave bërthamore, niveli më i lartë i gatishmërisë për Forcat Raketore Strategjike të Rusisë.

Për herë të parë në histori BE do të dërgojë armë për ukrainë, një vendimmarrje që është konsideruar “e vështirë” nga Ursula Von Der Leyen. Gjithashtu BE po diskuton për mbylljen e hapësirës së saj ajrore për Rusinë, ku përfshihen edhe avionët privat të oligarkëve rus.

Duke folur me zyrtarë të lartë ushtarakë, duke përfshirë ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu, ai tha se vendet perëndimore kishin ndërmarrë “veprime jo miqësore” ndaj Rusisë dhe kishin vendosur “sanksione të paligjshme”.

“Zyrtarët e lartë në vendet udhëheqëse të NATO-s i kanë lejuar vetes të bëjnë komente agresive për vendin tonë, prandaj urdhëroj ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të vendosin Forcën e Parandalimit të Ushtrisë Ruse në gatishmëri luftarake”, tha Putin.

Këtë lëvizje, SHBA e ka quajtur të papranueshme.

Çfarë do të thotë kjo lëvizje e Rusisë?

Ngritja e një alarmi të tillë është një mënyrë që Moska të dërgojë një paralajmërim. Kalimi në statusin e alarmit ka të ngjarë ta bëjë më të lehtë lëshimin e armëve brthamore dhe më shpejt. Por kjo nuk do të thotë se ekziston një synim aktual për t’i përdorur ato. Rusia ka stokun më të madh të armëve bërthamore në botë, por gjithashtu NATO ka mjaftueshëm për të shkatërruar Rusinë nëse ato do të përdoreshin. Por qëllimi i Putin, sipas analistëve të huaj, ka të ngjarë të përpiqet të pengojë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën.

Ndërkohë, në ditën e katërt të luftimeve, Ukraina pretendon se 4,300 rusë kanë vdekur, ndërsa si pasojë e bombardimeve kanë humbur jetën 210 civilë ukrainas. Ukraina ka ngritur një padi kundër Rusisë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së në Hagë , tha presidenti Volodymyr Zelenskiy. Ai  pretendon se Rusia ka bombarduar kopshte, zona të banuara dhe zona të infrastrukturës joushtarake.

Për të ndëshkuar Rusinë, BE, SHBA dhe aleatët e tyre do të ndërpresin një numër bankash ruse nga sistemi kryesor ndërkombëtar i pagesave, Sëift. Ata gjithashtu do të ngrijnë asetet e bankës qendrore të Rusisë.

Australia u bë vendi i fundit që njoftoi se do të financojë furnizimin me armë vdekjeprurëse për Ukrainën për ta ndihmuar atë të luftojë Rusinë. Masa vjen pasi Gjermania vendosi të shtunën të furnizojë Ukrainën me armë.

Agjencia e OKB-së raporton 240 viktima civile nga luftimet në Ukrainë që shpërthyen që nga pushtimi i Rusisë. Më shumë se 150,000 njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit të Rusisë të enjten, teksa 3 milionë banorëve të kryeqytetit të Ukrainës u tha të strehoheshin në bunkerë.