Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe homologët e tij të NATO-s u pajtuan të premten që të dërgojnë mijëra trupa për të mbështetur aleatët e tyre nga ajri dhe deti në afërsi të Rusisë dhe Ukrainës, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca do të dërgojë pjesë të Forcës për Reagim të NATO-s dhe elementet e një njësie për dislokim të shpejt në krahun lindor të aleancës. Kjo është hera e parë që NATO përdor këtë forcë për të mbrojtur aleatët.
Megjithatë, Stoltenberg nuk tregoi se sa trupa do të dërgohen apo kur do të dërgohen, por konfirmoi se do të jenë trupa tokësore, ajrore dhe detare.
“Ne tani po dislokojmë për herë të parë Forcën e Reagimit të NATO-s në kontekstin e mbrojtjes kolektive. Po flasim për mijëra trupa, po flasim për kapacitete ajrore dhe detare”, tha ai.
“Nuk duhet të ketë hapësirë për keqllogaritje apo keqkuptim. Ne do të bëjmë gjithçka që kërkohet për të mbrojtur çdo aleat dhe çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha ai.
Forca e Reagimit ka deri në 40,000 trupa, por Stoltenberg tha se NATO nuk do ta dërgojë të gjithë njësinë.
Më herët, aleanca më e madhe ushtarake në botë dërgoi rreth 5,000 trupa në Estoni, Lituani, Letoni dhe Poloni.
Disa prej 30 shteteve të NATO-s po e furnizojnë Ukrainën me armë, municion dhe pajisje ushtarake, por NATO, si organizatë nuk po dërgon furnizime. Kjo aleancë ka thënë se nuk do të nisë asnjë aksion ushtarak në mbështetje të Ukrainës, që është një partnere e ngushtë, por ende nuk ka prospekt që t’i bashkohet aleancës.
Burimi: REL