Afganët luten vetëm për mbijetesë nën regjimin taliban

Pas avancimit ushtarak në Kabul, militantët talibanë kanë fituar pushtetin në Afganistan më 15 gusht të vitit të kaluar.

Islamistët e linjës së ashpër kanë festuar fitoren pas më shumë se katër dekadave të konflikteve në këtë shtet, duke premtuar një epokë të re të paqes dhe prosperitetit.

Mirëpo, gjashtë muaj pas, pak njerëz janë të kënaqur me udhëheqësit e rinj.

Më shumë se një milion afganë kanë ikur nga persekutimi, përkeqësimi i krizës humanitare dhe asaj ekonomike.

Rreth 23 milionë njerëz – shumica e popullsisë prej 39 milionë banorësh – përballen me uri.

Më shumë se një milion fëmijë janë në rrezik të vdekjes nga kequshqyerja.

Pavarësisht përfundimit të luftimeve, 3.5 milionë afganë mbeten të zhvendosur brenda shtetit.

Kjo situatë ka shuar shpresat se liritë dhe të drejtat e përcaktuara në Kushtetutën e Afganistanit do të zbatohen ndonjëherë nga talibanët, Qeveria e të cilëve nuk njihet nga asnjë vend në botë.

Duke marrë parasysh zvogëlimin e ndihmës ndërkombëtare, shpresat e afganëve kanë ndërruar kah nga një jetë e mirë, në thjesht mbijetesë.

Radio Azadi, që funksionon në kuadër të Radios Evropa e Lirë, ka biseduar me disa banorë të Afganistanit për përditshmërinë e tyre nën talibanët.

Katastrofë humanitare

Mohammad Mansur është bllokuar në fshatin e tij Lolash për javë, për shkak të borës së madhe në veri të provincës Farjab.

Fermeri ka thënë se familja e tij me gjashtë anëtarë po vuan nga uria dhe nuk ka të holla për t’i trajtuar dy fëmijët e sëmurë.

Ai ka thënë se banorët e Lolashit dhe qindra fshatra të rrethinës kanë qenë buzë përballjes me urinë edhe para se talibanët të merrnin pushtetin, kryesisht për shkak të thatësisë që ka zgjatur për tre vjet.

“Pa veprime të shpejta për të na ndihmuar, ne jemi shumë afër katastrofës humanitare”, ka thënë ai përmes telefonit për Radion Azadi.

Abdul Ahad, fermer 30-vjeçar në Lolash, ka thënë se shumë njerëz në fshatin e tij nuk do t’ia dalin në dimër pa ndihmë urgjente.

“Duket sikur jemi në burg dhe nuk ka dalje”, ka thënë ai për Radion Azadi.

“Çmimet janë rritur jashtëzakonisht shumë”.

Ahad ka thënë se një shishe dhjetëlitërshe të vajit ushqimor, më parë e ka blerë për pesë dollarë, ndërsa tani kushton 20 dollarë.

Ngjashëm janë rritur edhe çmimet e miellit dhe sheqerit.

Para marrjes së pushtetit nga talibanët, Afganistani ka qenë një prej vendeve më të varfra në botë dhe shumë i varur nga ndihmat.

Para tërheqjes së forcave ndërkombëtare, shumë kompani të huaja dhe agjenci për ndihma janë larguar, po ashtu, duke e lënë Qeverinë e talibanëve pa të hyra nga jashtë.

Donatorët ndërkombëtarë janë zotuar se do të ndajnë miliarda dollarë si ndihmë humanitare për përmirësim të shëndetit publik, edukimit dhe për të ofruar ndihma ushqimore, mirëpo ekzistojnë pengesa të shumta për realizim të këtyre premtimeve.

“Njerëzit që e meritojnë nuk po fitojnë asgjë”, ka thënë Abdullah Khan, banor në Baraki Barak, zonë afër provincës Logar.

Tre burra afganë duke u ngrohur para një zjarri në Kabul. Janar 2022.
Tre burra afganë duke u ngrohur para një zjarri në Kabul. Janar 2022.

Ai ka thënë se disa ndihma mujore prej 200 dollarësh nuk është duke u ndarë në mënyrë adekuate.

“Njerëzit që nuk e meritojnë po i fitojnë këto para pa nevojë”, ka shtuar ai.

Këto grante me para të gatshme janë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të ofruar ndihmë financiare për afganët më të cenueshëm.

Agjencitë për ndihma janë duke paguar edhe rrogat e mësuesve dhe punëtorëve shëndetësorë për të ofruar shërbime thelbësore.

Programi Botëror i Ushqimit është duke ofruar ushqim për afganët, kryesisht kategoritë më të ndjeshme.

Megjithatë, Kombet e Bashkuara paralajmërojnë që më shumë se 97 për qind e afganëve do të përballen me varfëri para verës dhe ekonomia afgane duket se është në rënie të lirë.

Tregtia e këtij shteti është tkurrur në mënyrë dramatike pasi nuk ka kërkesë për prodhimet afgane në tregjet ndërkombëtare.

Këtë javë, shpresa për një injektim me fonde, për të mbajtur gjallë ekonominë afgane, është përballur me një goditje të madhe, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, ka lëshuar një urdhër ekzekutiv për të shpërndarë 7 miliardë dollarë të fondeve të ngrira të Bankës Qendrore të Afganistanit në ndihma humanitare dhe pagesë për viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Shtypja

Talibanët patën prezantuar amnisti të përgjithshme pak pas pushtimit të Kabulit.

“Dëshiroj të siguroj komunitetin ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, se askush nuk do të dëmtohet”, pati thënë zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, para gazetarëve më 17 gusht.

“Ne nuk duam armiq të brendshëm apo të jashtëm”.

Mirëpo, gjysmë viti më vonë, Kombet e Bashkuara dhe vëzhgues tjerë të të drejtave të njeriut vazhdojnë të raportojnë për abuzime të rënda.

“(Misioni i OKB-së për ndihmë në Afganistan) vazhdon të pranojë supozime kredibile për vrasje, zhdukje të detyrueshme dhe shkelje tjera”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një raport dërguar Këshillit të Sigurimit muajin e kaluar.

Përvojat e afganëve i japin edhe më shumë zë raportit të OKB-së.

“Vëllai im është zhdukur qe tre muaj”, ka thënë një burrë afgan për familjarin e tij, i cili ka qenë zyrtar i lartë i ushtrisë afgane.

“Ne nuk e dimë a është i gjallë apo i vdekur”, ka shtuar ai, duke kërkuar që të jetë anonim për të shmangur ndonjë veprim nga ana e talibanëve.

Ky burrë ka pretenduar këtë javë se talibanët ia kanë ndalur vëllain tre muaj më parë.

“Ku është amnistia e përgjithshme që është premtuar?”.

Një grua afgane me burka, e ulur në borë, duke kërkuar lëmoshë. Kabul 2022.
Një grua afgane me burka, e ulur në borë, duke kërkuar lëmoshë. Kabul 2022.

Gratë afgane janë përballur po ashtu me kufizimet dhe diskriminimet e talibanëve.

Shumë të reja afgane janë ende në pritje për t’u kthyer në shkollë, derisa gratë kanë humbur vendet e punës, bizneset dhe pozitat që kanë fituar në dy dekadat e fundit.

“Gratë janë margjinalizuar plotësisht në skenën politike”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Zahra Rahnavard, banore nga Kabuli.

“Talibanët janë zotuar se do të respektojnë të drejtat e grave, por ne nuk shohim asgjë… Secili në këtë shtet është në dëshpërim dhe pa shpresë”.

Personat që kanë bërë fushatë për mbrojtje të të drejtave të grave janë shtypur nga talibanët, duke u ndaluar, duke u marrë në pyetje, apo duke u zhdukur me forcë.

Më herët gjatë javës, talibanët kanë liruar katër gra aktiviste.

Ato ishin zhdukur muajin e kaluar pasi kishin marrë pjesë në një marsh kundër talibanëve.

Zhdukja e lirive

Numri i mediave të llojllojshme dikur në Afganistan, tani është duke u zvogëluar dukshëm.

Organizata Reporterët pa Kufij vlerëson që më shumë se 8,000 punëtorë të mediave në Afganistan i kanë humbur vendet e punës në gjashtë muajt e fundit.

Qindra gazetarë kanë ikur nga shteti, ndërsa ata që kanë mbetur përballen me kërcënime, frikësim dhe rrahje.

Mina Habib, gazetare me orar të pjesshëm në Kabul, ka thënë se është ngacmuar dhe rrahur derisa e ka mbuluar protestën e grave kundër talibanëve në muajin shtator.

“Shumë luftëtarë talibanë më kanë goditur dhe më kanë gjuajtur në tokë”, kujton ajo.

“Ata më kanë marrë kamerën dhe e kanë thyer në copëza të vogla. Ata më kanë thënë të shkoj në shtëpi dhe më kanë pyetur pse po raportoj meqë jam grua”.

Khaleda Tahsin, 51-vjeçare, një tjetër gazetare afgane, do t’i japë fund karrierës pas 22 vjetëve.

Ajo u ka mbijetuar sulmeve vetëvrasëse dhe frikësimit, si nga qeveria, ashtu edhe nga kryengritësit.

Ndonëse e mban familjen, ajo ka vendosur ta lërë këtë profesion.

Ajo ka dhënë dorëheqje nga puna e saj si kryeredaktore në Radion Killid – radio private – këtë muaj, sepse kushtet e punës për gratë janë përkeqësuar shpejt gjatë regjimit të talibanëve.

“Kushtet për punë, sidomos për gratë, janë bërë të ashpra”, ka thënë ajo për Radion Azadi.

“Nuk mund ta kem mendjen e qetë për shkak të kërcënimeve për siguri”.

Tahsin ka thënë se ndonëse gratë gazetare ende punojnë në teori, ato nuk kanë fare mbrojtje.

“Sfida jonë e madhe është se nuk do të kemi qasje në informacione, derisa të mos ketë llogaridhënie nga autoritetet”, ka thënë ajo.

Shihet qartë se mbijetesa është në mendjet e shumicës së afganëve.

Qasim, shofer i taksive në Kabul, ka thënë se dikur ka fituar deri në 10 dollarë në ditë.

Tani ka ditë që nuk fiton asgjë.

“(Talibanët) kanë premtuar se do të përmirësojnë jetët e njerëzve”, ka thënë ai.

“Mirëpo, ata nuk e kanë përmbushur asnjë premtim”.

Burimi: REL