Biden: Sulmi ndaj Ukrainës “ende i mundshëm”/ Bën thirrje për diplomaci

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden thotë se beson se një sulm rus ndaj Ukrainës është “vërtet ende i mundshëm”, si dhe i bëri thirrje Presidentit rus Vladimir Putin të vazhdojë bisedimet, ose të rrezikojë të përballet me pasoja të ashpra.

“Lufta e Dytë Botërore ishte një luftë e domosdoshme”, tha zoti Biden. “Por nëse Rusia sulmon Ukrainën, kjo do të ishte një luftë zgjedhjeje, ose një luftë pa kauzë dhe arsye. I them këto gjëra jo për të provokuar, por për të folur të vërtetën, sepse e vërteta ka rëndësi. Llogaridhënia ka rëndësi. Nëse Rusia sulmon në ditët dhe javët në vazhdim, kostoja njerëzore për Ukrainën do të jetë e pamatë, dhe kostot strategjike për Rusinë do të jenë gjithashtu të jashtëzakonshme. Nëse Rusia sulmon Ukrainën, do të pritet me denoncimin masiv ndërkombëtar. Bota nuk do të harrojë se Rusia zgjodhi vdekjen dhe shkatërrimin e panevojshëm. Sulmi ndaj Ukrainës do të rezultojë një plagë e vetëshkaktuar. Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë, do të përgjigjen me vendosmëri”.

Të martën, zoti Putin tha se ishte gati për negociata me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s për vendosjen e raketave dhe për stërvitjet ushtarake në Evropë, pasi Moska njoftoi se po tërhiqte disa forca nga kufiri me Ukrainën.

“Kjo do të ishte gjë e mirë”, tha Presidenti Biden duke reflektuar skepticizmin e shprehur nga zyrtarë ukrainas dhe të NATO-s, “por ende nuk e kemi verifikuar këtë. Nuk e kemi verifikuar ende se njësitë ushtarake ruse janë duke u rikthyer në bazat e tyre. Në të vërtetë, analistët tanë thonë se vazhdojnë të jenë në pozicione që përbëjnë kërcënim. Fakti vazhdon të jetë se Rusia ka tashmë mbi 150 mijë forca përreth Ukrainës, në Bjellorusi dhe përgjatë kufirit ukrainas”.

Dhe nëse Rusia ndërmerr veprime, tha ai, qoftë edhe nëpërmjet një sulmi virtual, Presidenti Biden paralajmëroi për pasoja të rënda.

“Nuk po kërkojmë konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë”, tha Presidenti Biden. “Kam qenë i qartë se nëse Rusia sulmon amerikanët në Ukrainë, ne do të përgjigjemi fuqishëm. Nëse Rusia sulmon Shtetet e Bashkuara apo aleatët tanë me mjete asimetrike, si sulme kibernetike ndaj kompanive tona, apo infrastukturës jetësore, ne jemi të përgatitur t’i përgjigjemi”.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se Uashingtoni dhe NATO shpresojnë të shohin një zvogëlim domethënës të pranisë ushtarake.

“Mënyra se si e përkufizojmë ne suksesin, mendoj se është siç e përkufizojnë shumë prej partnerëve tanë evropianë dhe aleatëve në NATO, që do të ishte… një çtensionim i faktuar në kufirin me Ukrainën, nga ku rusët do të tërhiqnin forcat e tyre, duke ia bërë të qartë të gjithëve, komunitetit global, mediave dhe publikut, se nuk do ta sulmojnë Ukrainën dhe ta mbështesin këtë me veprimet e tyre”, tha ajo./ VOA