Vodhi mijëra dollarë nga shkolla ku punonte për të luajtur kazino, arrestohet murgesha

Një murgeshë në Kaliforni ra në pranga, nën akuzën se ka vjedhur para për t’i shpenzuar në lojërat e fatit.

Mary Margaret Kreuper pranoi se kishte thyer betimin e saj  duke vjedhur 835 mijë dollarë nga një shkollë në Kaliforni ku ajo punonte.

80-vjeçarja është arrestuar dhe do të kalojë 1 vit e 1 ditë në burg për “mashtrim.”

“Kam mëkatuar, kam shkelur ligjin dhe nuk kam asnjë justifikim”, tha ajo gjatë dënimit të saj në Los Angeles.

Për më shumë se një dekadë, Kreuper përvetësoi fondet nga shkollimi dhe donacionet për Shkollën Katolike St James, ku ajo ishte drejtoreshë.

Më pas ajo udhëzoi punonjësit e tjerë të shkollës që të “ndryshonin dhe shkatërronin të dhënat financiare” për të mbuluar krimin e saj.

Paratë, të cilat sipas prokurorëve mund të kishin mbuluar tarifat e shkollës për më shumë se një duzinë studentësh, u shpenzuan për lojëra fati  në kazino dhe pushime për Kreuper dhe miqtë e saj.

Skema u zbulua gjatë një auditimi pasi Kreuper doli në pension në 2018.