Indeksi i ri i demokracisë hedh “një dritë mbi sfidat e vazhdueshme për demokracinë në mbarë botën, nën presionin e pandemisë së koronavirusit, që u shkon në favor sistemeve autoritare”, kumtoi EIU.

Vetëm 6,4 përqind e të gjithë njerëzve kanë jetuar gjatë këtij viti në një “demokraci të plotë”, që është një rënie e lehtë krahasuar me një vit më parë. Norvegjia mbetet lider. Studimi i dha vendit skandinav notat më të mira në tre nga pesë kategoritë e matura. Ndërsa Zelanda e Re është ngjitur nga e katërta në vendin e dytë. Pasojnë vendet e tjera nordike: Suedia, Finlanda, Islanda dhe Danimarka. Si një vit më parë, Gjermania është në vendin e 15-të, mes Luksemburgut dhe Koresë së Jugut.
Autorët kritikuan dy vende të mëdha në Evropë. Ata e ulën Spanjën (vendin e 24-të) në një “demokraci me mangësi”. Arsyeja ishte një vlerësim më i dobët i pavarësisë së gjyqësorit. Mbretëria e Bashkuar mbeti një “demokraci e plotë” në vendin e 18-të. Por edhe ajo ka shënuar rënie. Në raport thuhet se disa skandale që kanë ndodhur atje e kanë minuar besimin ndaj qeverisë. Kryeministri britanik Boris Johnson është kritikuar prej javësh për aferën “Partygate”./ DW