Goca dhe Gra – Kantautori i njohur, Elgit Doda, ishte mbrëmjen e djeshme i ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel. Gjatë kësaj interviste, ai ka folur edhe për raportin miqësor me vëllezërit binjakë, Romeo dhe Donald Veshaj.
Referuar raportit miqësor shumë të ngushtë midis Elgitit dhe banorit të “Big Brother VIP”, moderatoret e emisionit e kanë pyetur atë se pse Beatrix Ramosaj nuk iu drejtua atij për këngën e saj më të re “Faj”, dedikuar të dashurit të saj.
Doda zbuloi se nuk e ka takuar këngëtaren e njohur, por ka shkëmbyer disa mesazhe me të, pas daljes së saj nga shtëpia më e famshme në Shqipëri.
Elgiti u shpreh se i ka dhënë kurajo Beatrix duke i thënë të mos dëgjojë mendimet e njerëzve apo komenteve negative në rrjetet sociale.
“I kam dhënë pak kurajo për atë pjesën që të mos dëgjojë çfarë u thonë njerëzit, sepse ata këtë kanë forcën më të madhe, telefonin dhe tastieren e kompjuterit. Nëse ti je ok, gjithçka është ok”, tregoi ai.
Rikujtojmë se Elgiti ka kënduar një triologji këngësh në bashkëpunim me Donaldin, të cilat u përfolën se ishin të dedikuara ndaj ish të dashurës së aktorit, Bora Zemani.
Burimi: Gazeta Shqip