Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të vuajë dënimin e tij në burgun e Fierit.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e dënoi Tahirin me 5 vite heqje lirie, që pas uljes së dënimit, i mbeten 3 vite e 4 muaj.
Ish-ministrit Tahirit i lejohet të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, 45 ditë nga dhënia e këtij vendimi.
Sipas gjykatës, Tahiri me veprimet dhe mos veprimet e tij ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit. Ai u dënua për veprën penale “Shpërdorim të Detyrës”.
Më herët, SPAK kërkoi 12 vite burg për Tahirin dhe ish-drejtorin e policisë Jaeld Çela, por mbrojtja kërkoi që Tahiri të shpallej i pafajshëm.
Saimir Tahiri dhe ish-kreu i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.
Ish-ministri u dënua me tri vite shërbim prove, ndërsa Jaeld Cela me tre vite e katër muaj burg.Në nëntor të vitit 2017, Prokuroria e akuzoi Çelën se, në bashkëpunim me Tahirin, ndihmonin bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.
Çela u vetëdorëzua në polici në maj të vitit 2020 – pas dy viteve në arrati. Ndërsa akuzohej për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Gjykata e Krimeve të Rënda rëndoi ndaj Çelës vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe e dënoi atë me 3.4 vite burgim.
Nga ana tjetër, ish-ministri u dënua vetëm me tre vite shërbim prove nën akuzën e rikualifikuar të “shpërdorimit të detyrës”.Ndonëse i shpëtoi qelisë, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ta dërgonte për tri akuza të tjera të rënda, për Tahirin u vendos gjithashtu që, për të paktën disa vite, të qëndronte jashtë jetës politike. Ky vendim i Prokurorisë u apelua nga Tahiri, i cili e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë.