Bie qeveria e Malit të Zi, reagon Dritan Abazoviç: Vendimet e tjera të rëndësishme do i marr pa vonesë

Mali i Zi prej mbrëmjes së 4 shkurtit është pa një qeveri. Parlamenti i shtetit fqinj, votoi me 43 pro dhe 11 kundër, pa abstenime, mocionin e mosbesimit të kabinetit qeveritar të kryeministrit Zdravko Krivokapiç.

Për këtë ka reaguar Dritan Abazoviç, i cili përmes një postimi në Twitter shkruan: “E mirëpres zgjedhjen unanime të Maja Jovanoviç, me të cilën Këshilli Prokurorial tregoi profesionalizëm dhe integritet ndërsa kritikave iu përgjigj në mënyrën më të mirë”.

Ndër të tjera shtoi se vendimet e radhës që sipas tij do të jenë edhe më të rëndësishme dhe se do t’i marrë pa vonesë.

“Besoj se vendimet e radhës të rëndësishme do t’i marr pa vonesë, si dhe ndryshime rrënjësore të këtij institucioni, me theks në luftën e fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar!”, shkroi Abazoviç.

Ditën e djeshme, seanca parlamentare e cila zgjati mbi 5 orë u shoqërua me debate të forta. Pika e parë e rendit të ditës, për votimin e shkurtimit të mandatit të parlamentit nuk u miratua nga deputetet pasi në të kundërt vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Më tej, iu hap rruga diskutimeve për pikën e dytë dhe atë më të rëndësishmen, mocionin e mosbesimit të qeverisë, e thirrur nga zv-kryeministri Dritan Abazoviç.

Ndër të tjera, Nënkryetari i lëvizjes Ura, Miloš Konatar tha për mediat malazeze se personalisht beson që kryeministër i vendit duhet caktuar Dritan Abazoviç.

Bisedimet për këtë skenar, sipas tij, nisin sot. Ai tha se do të diskutojë për këtë me përfaqësues të mazhorancës aktuale, por edhe me subjekte të tjera në parlament.