Pamje nga ngjarja e ndodhur mesnatën e së martës në Selanik, ku u vra një 19-vjeçar janë publikuar sot.
I arrestuar është pronari i një prej dy makinave me huliganë që kanë marrë pjesë në sulmin brutal ku humbi jetën 19-vjeçari Alki dhe u plagosën dy shokët e tij.
Autori i dyshuar është me kombësi shqiptare dhe quhet Afksendos Çarçiu, sipas mediave greke. 23-vjeçari është dënuar edhe më parë për sulm të dhunshëm dhe njihet si person tepër agresiv në rrethin e huliganëve të ekipeve greke të sportit.
Ai është dërguar tek organet kompetente gjyqësore, ndërsa hetimet policore vazhdojnë , pasi në sendiljen e mjetit të 23-vjeçarit që akuzohet për vrasjen brutale u gjetën njolla gjaku dhe mostrat janë dërguar për analiza në laboratorët e mjekësisë ligjore.
Ndërkohë që autoritetet policore po shqyrtojnë mundësinë që personi dyshohet të mos ketë arritur të fshijë gjurmët që e kanë tradhtuar.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas policisë nga dy automjete kanë dalë disa persona që kanë pyetur tre të rinj të moshës 19-vjeç se me kë ekip futbolli janë tifozë.
Me pas i kanë sulmuar me mjete të forta derisa një prej të rinjve ka marrë në këmbë një plagë të thellë me thikë dhe ka humbur jetën nga gjakderdhja vetëm disa minuta më vonë, ndërsa dy shokët e tij janë plagosur në kokë e në gjoks. Të tmerruar banorët e lagjes kanë parë shumicën e skenave të dhunës deri sa kanë mbërritur ambulancat që kanë marrë të plagosurit.
“Dëgjova britma, sharje dhe një goditje të fortë. Pastaj pashë që morën një stol nga një dyqan atje dhe gjuanin një makinë të bardhë”, u shpreh një dëshmitar.
Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit ka deklaruar se asnjë lloj dhune nuk është e pranueshme dhe se policia që ka shoqëruar deri tani 15 persona të dyshimtë në lidhje me ngjarjen do të bëjë detyrën e saj për të zbuluar autorët e këtij krimi.
Vrasja e 19-vjeçarit, e cila i atribuohet motiveve të dhunës së tifozëve fanatikë, sidomos të ekipeve të Arisit dhe Paokut, cilësohet si kulmimi i një sërë aktesh brutale të kësaj natyre në 5 vitet e fundit me zjarrvënie në ambientet e tifozëve, rrahje dhe përleshje të dhunshme, shkëmbime zjarri me pistoleta në lagje të ndryshme të qytetit dhe të paktën dy të vdekur, kryesisht në Selanik. Ndërkohë që edhe në Athinë këtë fund jave janë regjistruar konfrontime të dhunshme midis tifozëve të AEK-ut dhe Olympiakosit.