Arlen Hasanaj 34-vjeçari i arrestuar si autor i dyshuar i vendosjes së tritolit në banesën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, rezulton me një dëmtim në dorën djathtë, që dyshohet të jetë shkaktuar gjatë ndezjes së fitilit para hedhjes së lëndës plasëse në portën e jashtme të oborrit, natën e 24 janarit ne Durrës.
Pritet akti i ekspertimit nëse ka gjurmë baruti në dorën e djathtë të Hasanajt.
Avokati mbrojtës i 34 vjecarit, Ilia Ilia ka vënë në dispozicion të hetimit pamjet filmike që tregojnë, sipas tij, se klienti i vet e ka pasur të pamundur të mbërrijë në Durrës në kohë për të realizuar veprën penale për të cilën akuzohet.
“Që nga momenti i filmimit kur paguan faturën në qendren tregtare Megatek në 21.38 minuta, rruga e ndjekur deri në hyrje të Durrësit 22.00 ka qenë te ura e dajlanit, 22.02 hynë në rotondon kryesore të qytetit të Durrësit. 22.03 parkon te shtëpia e vetë, ndërkohë që në këtë orë është ndezur fitili te shtëpia e Dukës. Vetëm Batman e realizon këtë. Si duket ka interesa që dalin përtej interesave ligjorë, ka interes që të ketë një person që po ndiqet formalisht për këtë çështje“, tha avokati.

Fatura tatimore të marra nga qendra tregtare
Pavarësisht alibisë së ngritur gjykata për vendndodhjen dhe mospërputhjet në veshjen e Hasanajt me personin që vendosi eksplozivin, gjyqtarja Shpëtime Pitaku la në qeli 34-vjeçarin mbi të cilin rëndojnë akuzat “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Po hetohet dhe mundësia e bashkëpunimit të tij me persona të tjerë.
Hasanaj u arrestua 3 ditë më parë, ndërsa ka mohuar para hetuesve që të jetë ai personi që ka vendosur eksplozivin.
Ditën e shpërthimit të tritolit në shtëpinë e Dukës në lagjen nr.4 në Durrës, Hasanaj është filmuar në një qendër tregtare ekzaktësisht në orën 21:40, dhe në kohën që ka ndodhur shpërthimi në 22:03 në shtëpinë e Dukës, Hasanja po parkonte mjetin e tij në rrugicën përballë shtëpisë.
Arlen Hasanaj, 34-vjeçari rezulton pronar i një biznesi privat në qytetin bregdetar.
Burimi: Top Channel