BE synon të lehtësojë masat COVID-19 të udhëtimit

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) janë pajtuar të thjeshtojnë masat e udhëtimit për koronavirusin, duke lejuar qasjen me certifikata të vaksinimit, teste negative ose dëshmi se jeni shëruar nga virusi pa kërkesa shtesë për karantinë ose testim.

“Rekomandimi i shqyrtuar do të marrë në konsideratë situatën individuale të personave dhe jo situatën epidemiologjike të vendit të tyre”, u tha gazetarëve Clement Beaune, sekretar i shtetit për çështjet e BE-së në Francë sipas Anadolu Agency.

Beaune foli në një konferencë për media pas një takimi të ministrave përgjegjës për çështjet evropiane, të cilët miratuan masat jo të obligueshme të udhëtimit.

Deri më tani vendet e BE-së kishin mundësi të vendosin masa shtesë nëse dikush udhëtonte nga një vend me potencial të lartë infeksioni në bazë të hartës së virusit të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Sipas rregullave të rishqyrtuara që do të vlejnë nga 1 shkurti, udhëtarët që mbajnë certifikatë digjitale të BE-së për virusin COVID-19 nuk do të përballen me masa kufizuese shtesë, si karantina ose testimi kur të hyjnë në një vend tjetër të BE-së.

Certifikata digjitale e BE-së dëshmon nëse një person është vaksinuar, testuar negativ ose është shëruar nga koronavirusi

Në një ndryshim të rëndësishëm për ata që nuk posedojnë certifikatën COVID-19, vendet anëtare po ashtu duhet të pranojnë teste negative jo më të vjetra se 24 orë para hyrjes në një vend tjetër të BE-së.

Rregullat e reja nuk janë ligjërisht të detyrueshme për vendet e BE-së, pasi qeveritë gjithmonë mund të paraqesin masa më të rrepta për të ndaluar një krizë eventuale shëndetësore, por ato rekomandohen të koordinohen me Komisionin Evropian dhe qeveritë e tjera.