Dita Ndërkombëtare e Arsimit i ka gjetur nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në shtëpi, për shkak të motit të ftohtë me temperatura të ulëta.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi uroi nxënësit për këtë ditë të shënuar dhe tha se vendimi për tri ditë pushim, ishte i nevojshëm. Kjo dëshmon se shkollat nuk kanë kushtet e duhura për nxënësit, për t’u ofruar një ambient të përshtatshëm mësimor.
Aktivistët e Qëndresës Qytetare ftuan studentë dhe qytetarë të protestojnë para Ministrisë së Arsimit dhe në shenjë simbolike të marrin një ngrohëse me vete. Shkollat kanë ngrohëse 3D, thonë ata, duke ironizuar mungesën e kushteve për fëmijët.
Nga ana tjetër, në mesazhin e saj, Kushi thotë se synimi i Ministrisë së Arsimit është sigurimi i kushteve më të mira në shkolla, por edhe “metodave bashkëkohore të mësimdhënies, përshtatur me nevojat që kërkon sot koha dhe tregu”.
Në planin për Shqipërinë e vitit 2030, ministrja e Arsimit, përmend dhe mundësinë që arsimi i mesëm të bëhet i detyrueshëm. “Ky do të ishte investimi më i mirë për të ardhmen e tyre dhe zhvillimin e Shqipërisë tonë të dashur”, shprehet ministrja.