Alban Dudushi zbulon pse nuk u transmetua emisioni i parë “Top Show”, çfarë i tha Dritan Hoxha

Gazetari Alban Dudushi është kthyer pas në kohë në fillimet e karrierës së tij në Top Channel.

Në emisionin “Ëndërrtjerrësit” foli për ndryshimin e tij në paraqitje dhe faktin se si emisioni i parë i Top Show nuk u transmetua asnjëherë.

“Ndonjëherë mërzitesha me flokët e gjata dhe mundohesha t’i shkurtoja por asnjëherë nuk guxoja t’i shkurtoja sa i kam tani. Emisioni i parë i Top Show nuk u transmetua asnjëherë. Të gjithë emisionet që do të transmetoheshin për herë të parë do të ishin më 17 dhjetor. Erdhi Tani e pa dhe tha nuk bën.

Emisioni i parë u miksua me Portokalli dhe më 20 janar kemi dalë me “berberët kundër parukierëve”. Ky bëri boom të madh se atëherë personazhet duhet të ishin të afirmuar për të qenë në ekran ndërsa qëllimi i Top Show ishte që të kishte sa më tepër personazhe interesantë dhe profesionistë të fushave të ndryshme”, tha Dudushi.