Në Greqi u zbulua Omicron 2/ Në një ditë mbi 100 viktima

Greqia i është shtuar listës së vendeve ku është zbuluar një variant i ri Omicron 2, i cili tashmë është përhapur gjerësisht në Danimarkë dhe vende të tjera evropiane, por ende nuk dihet nëse ai sillet ndryshe nga mutacioni Omicron.

Sipas mjekeve, ky nënvariant i ri, qëndron i fshehur dhe nuk zbulohet lehtë nga testet.

Dy rastet e para të tij ishin një çift udhëtarësh nga Egjipti që mbërritën në aeroportin “Eleftherios Venizelos” më 13 janar.

Pasi u identifikuan si pozitivë ,analiza gjenomike e mostrave të tyre rezultoi me nënvariantin e ri dhe ata kanë kryer karantinën prej shtatë ditësh sipas protokollit.

Në Norvegji, vlerësimet fillestare e konsiderojnë atë edhe më ngjitëse se virusi original dhe në Danimarkë, gjysma e të gjitha rasteve të reja janë konstatuar me këtë nënvariant.

Në 24 orët e fundit për të tretën herë brenda javës pati numër treshifror viktimash, 108 dhe në total prej fillimit të pandemisë numri i vdekjeve ka shkuar gati 22500.

Ndërkohë që infektimet ditore janë stabilizuar me gati 20000 gjatë gjithë kësaj jave, një e treta e tyre janë fëmijë të moshës 0-17 vjeç dhe 90% e tyre kanë variantin Omicron. Numri i të intubuarve gjithashtu vazhdon të mbetet përsëri në shifra alarmante , 679.