Reshjet e dëborës vijuan gjatë natës në juglindje dhe në veri të vendit, ndërsa temperaturat kanë rënë disa gradë nën zero.
Mjetet borëpastruese kanë qenë në terren për të pastruar rrugët dhe për të shpërndarë kripë, në mënyrë që akset rrugore të jenë të kalueshme.
Ndërkohë, sipas parashikimeve, gjatë ditëve në vijim, në vend do të mbizotërojë moti i ftohtë dhe me temperatura të ulëta.
Sipas Meteoalb, sot temperaturat do të pësojnë një rënie të ndjeshme ku variojnë: në zonat malore, nga -9°C në 00°C, në zonat e ulëta nga -3°C në 06°C dhe në zonat bregdetare nga 00°C në 07°C. Era do të fryjë në drejtim Verior-Verilindor ndërsa forca e valëzimit në det do të jetë 5 ballë.
Situata në akset rrugore të vendit
Aktualisht qarkullohet me zinxhirë në rrugën e Arbrit, Qarku Dibër. Është e bllokuar rruga Peshkopi-Lurë, por lëvizet në aksin Lurë-Rrëshen dhe Xibër-Klos me zinxhirë. Punonjësit e ARRSH ndodhen në terren që prej ditës së djeshme edhe në akse të tjera të vendit, ku në disa zona vijon normalisht qarkullimi, por me zinxhirë.
Po ashtu po punohet nga grupet e OSHEE për kthimin e energjisë në njësitë Kala e Dodës, Reç, Lurë, Selishtë të bashkisë Dibër si dhe në fiderin 6, njësia administrative Lunik, bashkia Librazhd.
Meteorologët parashikojnë rënie të mëtejshme të temperaturave nën zero, ndaj Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre në zonat e thella malore të bëjnë kujdes, të ndjekin këshillat e bëra publike nga Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe të njoftojnë autoritetet vendore në rast nevoje.