SHBA, sanksione ndaj katër shtetasve në Ukrainë, punojnë për llogari të Rusisë

Shtetet e Bashkuara vendosën të enjten sanksione ndaj zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve ukrainas, të cilët i akuzon se kanë punuar me shërbimin rus të zbulimit me synimin për të destabilizuar Ukrainën.

Vendimi vjen ndërsa Uashingtoni paralajmëroi se ishte i përgatitur të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse Rusia pushton ish-republiken sovjetike.

Moska ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa në kufijtë e saj me Ukrainën dhe shtetet perëndimore druhen se ajo po planifikon një sulm të ri ndaj këtij vendi. Rusia e ka hedhur poshtë një gjë të tillë, por thotë se mund të ndërmarrë veprime të papërcaktuara ushtarake nëse nuk plotësohen kërkesat e saj.

Ne nuk po presim t’i kundërpërgjigjemi Rusisë, ne aktualisht po ndërmarrim hapa. Kjo tregon se ne qëndrojmë në krah të qeverisë së Ukrainës në kërkim të identifikimit, ekspozimit dhe bllokimit të përpjekjeve destabilizuese të Rusisë brenda Ukrainës“, u tha gazetarëve një zyrtar i administratës amerikane.

Shtetet e Bashkuara vunë në shënjestër dy anëtarë të parlamentit ukrainas, Taras Kozak dhe Oleh Voloshyn, si dhe ish-zyrtarët Volodymyr Oliynyk dhe Vladimir Sivkovich, bëri të ditur në një deklaratë Departamenti i Thesarit.

Ky i fundit tha se personat e përcaktuar, veprojnë të komanduar nga Shërbimi rus i Sigurisë (FSB) dhe kanë luajtur rol në fushatën e Rusisë për të destabilizuar vendet sovrane.

Taras Kozak kontrollon disa kanale lajmesh në Ukrainë. Ai ka mbështetur planet për të denigruar anëtarët e rrethit të ngushtë të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, si dhe ka akuzuar atë në mënyrë të rreme për keqmenaxhim, thuhej në deklaratën e Departamentit të Thesarit.

SHBA akuzon Oleh Voloshyn se punon me Rusinë për të minuar zyrtarët ukrainas.

Volodymyr Oliynyk, i cili u largua nga Ukraina në Rusi, punon me FSB-në për të mbledhur informacion në lidhje me infrastrukturën thelbësore të Ukrainës, ndërsa ish-zyrtari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Vladimir Sivkovich akuzohet se është përpjekur që Ukraina t’i japë zyrtarisht Krimenë, Rusisë.

Veprimi i së enjtes ishte më i fundit ndërmarrë nga Uashingtoni që vë në shenjestër dezinformimin dhe ndërhyrjen ruse, tha një zyrtar i dytë i lartë i administratës amerikane.

Ato vijnë si shtesë e një sërë sanksionesh që ne jemi të përgatitur të ndërmarrim me aleatët dhe partnerët për të imponuar kosto të rënda ndaj Rusisë dhe ekonomisë së saj nëse do të pushtonte më tej Ukrainën në të ardhmen”, tha zyrtari.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara po planifikonin të vendosnin sanksione që lidhen me pjesëmarrjen e Rusisë në sistemin financiar SWIFT, nëse Moska pushton Ukrainën, një zyrtar amerikan tha se: “Të gjitha opsionet janë në tavolinë“.

Vendet perëndimore thanë të enjten se do të ishin të bashkuara për t’iu përgjigjur fuqishëm çdo sulmi rus në Ukrainë, një përpjekje për të minimizuar dëmin pas deklaratës së Presidentit Joe Biden, i cili sugjeroi një ndarje rreth mënyrës se si duhej reaguar ndaj një “inkursioni të vogël”.

Në një deklaratë Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, paralajmëroi se shërbimet ruse të zbulimit kanë rekrutuar zyrtarë ukrainas për të siguruar qasje tek informacionet e ndjeshme përpara një pushtimi të mundshëm.