Presidenti Ilir Meta ka caktuar datën 6 mars për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore.
Zgjedhjet për kryetar bashkie do zhvillohen në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.
“Uroj që ky proces të jetë një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë!”, shkruan Meta.
Ditën e djeshme, pas takimit me presidentin Meta, socialisti Taulant Balla dekonspiroi datën e zgjedhur sapo kaloi pragun e Presidencës.
“Për ne nuk ka asnjë datë. Data është e përcaktuar nga ligji dhe Kushtetuta dhe nga presidenti jemi informuar dhe presidenti mendon që zgjedhjet e pjesshme të zhvillohen në 6 mars”, tha Balla.
Lëvizja e Ilir Metës për ti marrë mendim Taulant Ballës befasoi jo pak. Arsyen e ftesës Presidenti nuk vonoi ta bëjë publike.
“E di unë ku doni të kaloni ju, zoti Taulant është i madhërishëm, është përfaqësues i shumicës, i cakton vendin edhe pakicës”, tha Meta.
Ndërsa nga demokratët, Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi e etiketoi takimin Balla-Meta si teatrin e radhës së trekëndëshit të Bermudës.
Bashkitë që kanë mbetur pa kryetar janë ato të Shkodrës, Vorës, Durrës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Lushnjës.
Aktualisht, Vora, Durrësi, Rrogozhina dhe Dibra drejtohen nga kryetar të emëruar dhe jo të zgjedhur. Ndërsa Voltana Ademi në Shkodër vijon të mbajë mandatin përtej afateve.