Ministrja gjermane për Evropën, Anna Luhrmann, viziton për herë të parë sot Shqipërinë pas marrjes së detyrës.
Ajo gjatë takimeve me autoritetet në Tiranë do të bisedojë mbi mbrojtjen e klimës dhe rolin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Siç bëhet e ditur, ministrja do të takohet me kryeministrin Edi Rama (PS) dhe me zëvendësministren e jashtme, Megi Fino. Veç përfaqësuesve të shoqërisë civile, ministrja do të takohet edhe me Albert Hanin, kryetarin e Byrosë Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO)
Maqedonia Veriore dhe Shqipëria janë dy vendet e para, pas Francës në dhjetor, që ministrja gjermane e Evropës i viziton që kur ka ardhur në detyrë në dhjetor të vitit të kaluar.
Një dëshmi kjo, që qeveria e re mes të gjelbërve, socialdemokratëve dhe liberalëve, sikurse e ka shprehur dhe në marrëveshjen e koalicionit, e merr seriozisht perspektivën evropiane të rajonit.
Qysh në pjesëmarrjen e saj të parë në takimin e rregullt të Këshillit të Ministrave të Evropës, më 14 dhjetor në Bruksel, Luhrmann kërkoi fillimin e konferencave ndërqeveritare me dy vendet.