Ministrja gjermane e Evropës, Anna Lührmann gjatë konferencës së përbashkët me zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar në Shqipëri.
Sipas Lührmann, duhet angazhimi i qeverisë dhe opozitës që reformat të shkojnë përpara.
“Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara në konsolidimin e demokracisë. Po kështu janë ngritur struktura për tu përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kjo meriton një respekt vërtet të madh. Zyrtarë të lartë dhe pjesëtarë të krimit të organizuar janë dënuar. Procesi i vetingut është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në procesin e reformës së drejtësisë. Në këtë rrugë do duhet të vijohet më tej me vendosmëri. Këtu janë të nevojshme si qeveria ashtu dhe opozita. Hapat pas do ta dëmtonin procesin e reformave. Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për të ardhmen e Evropës”.