Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, që ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare, iu përgjigj dhe kritikave për marrëdhënien e afërt me qeverinë turke.
I pyetur se a e shqetëson Bashkimin Europian afrimiteti me Turqinë, Rama tha se mes dy vendeve ka një bashkëpunim normal, ndërsa tregoi për mesazhin që mori teksa kthehej nga Laçi, (ku u inaugurua blloku i ri i banimit për qytetarët që mbetën pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit) për në Tiranë:
“Duke ndjekur sot rrugës në kthimin nga Laçi, më bëri përshtypje komenti i dukujt që thoshte shyqyr që nuk je myslim, se kaq shumë sa rri me Erdogan, kush e di ç’do thoshin ata të BE-së. Në fakt jam katolik, gjysmën më të mirë e kam myslimane. Por, nuk duhet të shqetësohet njeri për këtë marrëdhënie. Është një marrëdhënie normale. Edhe kur Shqipëria ishte e mbyllur, marrëdhënia me Turqinë ishte aty.
Janë për të qeshur shumë nga ato që thuhet jo vetëm nga konspiracionistë, por dhe njerëz serioz në BE. Unë nuk di qeveri tjetër, përveç qeverisë turke, kur Erdogan ishte kryeministër, u mblodh në mbledhje të jashtëzakoshme për të ndjekur”.
Sipas kryeministrit shqiptar, roli i Turqisë është i pazëvendësueshëm, në funksion të paqes. Mes dy vendeve, thotë ai, ka respekt reciprok, ndërsa më tej thekson se Erdogan ka mbajtur gjithnjë premtimet që i ka bërë qeverisë shqiptare.
“Kurrë nuk kam parë të japë leksione apo të të vërë në pozita të vështira, duke dëgjuar gjëra që mund të mos kesh dëshirë t’i dëgjosh. Është respekt reciprok. Janë marrëdhënie që kanë interes, është transformimi në realitet i fjalëve që i keni dëgjuar shpesh nga Presidenti. Është ditë e veçantë, në arenën politike, e përsëris sërish se nuk është e shpeshtë të takohesh njerëz që ‘Po-në’ e kanë po dhe ‘Jo-në’ jo”.
Sipas Ramës, “BE-ja, pa Turqinë do të ishte në një situatë që mund të mos i ngjante fare asaj që është sot. Është siguri për Bashkimin Europian”.
Burimi: Top Channel