Të paktën 19 persona, përfshirë nëntë fëmijë janë vrarë pas shpërthimit të një zjarri në një banesë në qytetin e New York-ut.
Autoritetet lokale thanë se ky ishte zjarri më vdekjeprurës në vitet e fundit.
Rreth 200 zjarrfikës u angazhuan teksa zjarri shpërtheu në një ndërtesë 19 katëshe në Bronks.
Zjarrfikësit “gjetën viktima në çdo kat dhe viktimat kishin pësuar arrest kardiak apo respirator”, tha zyrtari i shërbimit të zjarrfikësve, Daniel Nigro.
Ai e krahasoi këtë ngjarje me zjarrin që kishte shpërthyer në një klub shoqëror më 1990 ku ishin vrarë 87 persona.
Sipas Nigro, zjarri të dielën shpërtheu në një banesë që gjendej në katin e dytë dhe të tretë. Zjarrfikësit kishin gjetur hapur derën e kësaj banese, që sipas tyre, mundësoi që zjarri të përhapej me shpejtësi në katet e tjera të ndërtesës.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e zjarrit.