Më shumë se 5,000 njerëz janë arrestuar në Kazakistan lidhur me trazirat që kanë tronditur vendin më të madh të Azisë Qendrore javën e fundit, u cituan të kenë thënë autoritetet kazake të dielën.
Në total, 5,135 persona janë arrestuar për t’u marrë në pyetje si pjesë e mbi 100 hetimeve të veçanta që lidhen me trazirat, sipas ministrisë së brendshme të këtij shteti.
Kazakistani, një vend i pasur me energji dhe me rreth 19 milionë banorë është tronditur javën e kaluar nga trazirat që u përhapën në qytete të ndryshme të vendit e ku u vranë dhjetëra persona duke përfshirë civil dhe forca të rendit.
Rritjet e çmimit të karburantit shkaktuan trazira një javë më parë në zonat provinciale perëndimore, por ato arritën shpejt në qytetet më të mëdha, duke përfshirë qendrën ekonomike Almaty, ku shpërthyen trazirat dhe policia hapi zjarr duke përdorur plumba drejt protestueseve.
Dhjetëra persona të vrarë
Mediat lokale në Kazakistan raportuan se deri më tani të paktën 13 zyrtarë të zbatimit të ligjit vdiqën në qytetin Almaty dhe 353 persona u plagosën, por numri i protestuesve të vrarë në trazira ende nuk është i qartë.
Më shumë se 1,000 njerëz në rajone të ndryshme u plagosën si pasojë e trazirave.
Prej tyre, pothuajse 400 u shtruan në spital, me 62 persona në kujdes intensiv, citohet të ketë thënën Ministria e Shëndetësisë së Kazakistanit.
Burimi: Radio Evropa e Lirë