Vdekja e 3-vjeçarit në kopshtin privat në Fier/ Arrestohet edukatorja

Edukatorja e një kopshti në Fier është arrestuar, pas vdekjes së një fëmije tre vjeç një ditë më parë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, arrestuan shtetasen R. B., 27 vjeçe, banuese në Fier, pasi në kopshtin privat ku punon si edukatore, ka humbur jetën aksidentalisht fëmija i mitur 3 vjeç, i cili duhej të ishte nën mbikqyrjen e kësaj shtetaseje”, njofton policia.

Mësohet se në momentin që ka mbërritur në spital i vogli nuk reagonte, ndërsa i janë konstatuar shenja në qafë.

Këtë e konfirmon edhe daja i fëmijës, i cili kërkon drejtësi.

“Jam daja i fëmijës. E kemi çuar në mëngjes në kopsht vetëm kur na vjen lajmi, hajdeni se djalin e keni keq. Erdha me vrap në urgjencë. Aty u takuam me doktorin që ishte munduar ta kthente në jetë. Doktori tha se djali ka ardhur i pajetë. Ne i bëmë të gjitha çfarë ishin për të bërë dhe djalin nuk e shpëtuam dot. Më tha që kishte një shenjë në grykë. Për këtë duam drejtësi”, tha ai.