Hetimet e Prokurorisë së Tiranës kanë nxjerrë katër emra, që dyshohet se kanë nxjerrë listat me pagat dhe të dhëna të tjera personale të mbi 630 mijë shtetasve.
Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj në një konferencë për mediat tha se skandali i pagave ndodhi si pasojë e shitjes së të dhënave personale nga Eni Qirjako, Andi Agaraj, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.
Dy prej tyre, sipas Imeraj, kanë qenë punonjës IT-je pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Fillimisht, specialistja e AKSHI-t, Eni Qirjako, ka pasur qasje në këto të dhëna dhe më pas ia dërgonte mikut të saj, Andi Agaraj, përmes kanalit WeTransfer.
Qirjako dhe Agaraj akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim.
Qirjako ka mësuar për shpërndarjen e të dhënave të pagave në datë 22.12.2021. Pasi është njohur me këto të dhëna ajo ja kishte dërguar kolegut të saj shtetasit Andi Agaraj. Lidhur me këtë fakt siç rezulton edhe nga aktet, e dyshuara ka njoftuar eprorin e saj, drejtorin Ervin Muça të cilit i ka bërë të qartë faktin se emri i userit nga i cili kanë dal këto të dhëna me emrin “Moza Seraj” është useri që ajo përdor në aksesimin e të dhënave nga ana e saj.
Nga hetimet është konstatuar se pas këqyrjes se e-mailit të punës së specialistës së IT-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Eni Qirjako, janë konstatuar se të dhënat e kërkuara dhe të publikuara janë dërguar nga e-maili i saj i punës, në e-mailin e punës së shtetasit Andi Agaraj në datat e mëposhtme:
Në datë 21.10.2020 listë pagesat e muajit shtator 2020. Në datë 25.11.2020, listë pagesat e muajit tetor 2020. Në datë 24.02.2021 listë pagesat e janarit 2021. Me datë 29.04.2021 listë pagesat e muajit mars dhe në datë 22.10.2021 listë pagesat e muajit shtator 2021. Këto të dhëna i janë dërguar nga adresa zyrtare e punës [email protected] në adresën e [email protected] . Këto file siç rezulton nga këqyrja janë dërguar në programin wetransfer.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Andi Agaraj ushtron detyrën e specialistit të IT-së në sektorin e rrjetit dhe insfrastrukturës që nga viti 2013 në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Tiranë. Gazetarja Hoxha, duke i referuar dosjes hetimore, tregon se nga aktet e administruara është konstatuar se shtetasi Andi Agaraj, të dhënat që i ka marrë nga kolegia e saj, të nxjerra nga databaza e “SISTEMIT CATS”.
Në dosje tregohet se Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, ia ka dhënë shtetasit Klodian Sota. Këtij të fundit ia ka dhënë materialet e marra nga kolegia Eni Qirjako në të gjitha rastet kundrejt vlerës 20.000 lekë sa herë që ai i ka dhënë të dhënat e kërkuara.
Dy të dyshuarit e tjerë janë punonjës të subjekteve private, konkretisht në fushën e përmbarimit, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi i blinin dorazi të dhënat nga dy punonjësit e instituticioneve publike për 20 deri në 30 mijë lekë për secilin transferim.
“Policia gjyqësore ka sekuestruar në cilësine provës materiale në banesën e Sotës një “Hard Disk” të jashtëm, në të cilin dyshohet se gjenden të gjitha të dhënat e pagave të nxjerra nga databaza e “sistemit cats”, të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke ia dhënë shtetasit Endrit Ikonomi, kundrejt një shpërblimi prej 20.000 deri në 30.000 lekë”, thuhet në dosje.