Kazakistani është përfshirë nga trazira masive, ndërsa janë gjetur edhe trupat e tre policëve me kokë të prerë.
Trupa “paqeruajtëse” ruse dhe autoblinda po dërgohen në republikën ish-sovjetike për shtypjen e protestave të nisura prej të dielës mbi rritjen e papritur të çmimeve të karburanteve dhe energjisë.
Vendi është një nga eksportuesit kryesorë të gazit e naftës në botë.
Mediat thonë se në total 13 policë janë vrarë teksa qeveria tha se prerja e kokës së tre viktimave të fundit, tregon se “trazirat kanë natyrë terroriste”.
Ende nuk dihet numri i protestuesve të vrarë, që llogaritet të jetë më i madh se ai i policëve.
Ende nuk dihet kush ka kryer vrasjet e fundit apo nëse viktimat ishin gjallë, apo trupat e tyre u gjymtuan pas vdekjes.
Rreth 353 oficerë janë plagosur gjatë protestave të dhunshme në Almaty dhe rreth 2,000 protestues janë arrestuar.
Rusia raportohet se ka dërguar 3,000 trupa në Kazakistan dhe rreth 500 në Bjellorusi.
Në një prej videove shiheshin protestuesit që formonin një “mburojë njerëzore” jashtë një spitali pasi kundërshtonin faktin se policëve po u jepej prioritet ndaj demonstruesve të plagosur.
Në një tjetër video shokuese tregoheshin ato që dukeshin si trupa protestuesish të vrarë në trazirat e përgjakshme.
Presidenti Kassym-Jomart Tokayev tha mbrëmë: “Sot i bëj thirrje vendeve aleate të ndihmojnë Kazakistani për të kaluar këtë kërcënim terrorist”.
Raportime televizive flisnin për më shumë se 1,000 të plagosur gjatë dhunës, 400 prej të cilëve ishin dërguar në spitale.