Pesë punonjës të policisë Mallakastër janë arrestuar pasi dyshohet se kanë lejuar kultivimin e lëndëve narkotike në qytet.
Në njoftimin e bërë nga SHÇBA thuhet se janë dënuar me masën ‘arrest me burg’, shefi i seksionit të Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, nën komisari pranë këtij komisariati, si dhe tre inspektorë.
Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” edhe për tre punonjës të tjerë të policisë.
SHÇBA njofton se pas hetimeve të kryera, në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës, u evidentuan disa parcela të kultivuara me bimë narkotike, ngjarje për të cilën më herët janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas.
Këta punonjës policie dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën gjatë periudhës qershor – shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Rrethit Fier për kultivim të bimëve narkotike.
Nga hetimi i këtij procedimi penal është bërë e mundur sigurimi i provave ku janë gjetur disa parcela në vende të ndryshme të hapura dhe të mbjella në disa sipërfaqe të njësisë administrative Poçem, Mallakastër.