Shqipëria do të ndihmojë Kosovën në krizën energjetike që po kalon këto kohë.
Kryeministri Edi Rama informon se kërkoi sot nga Ministria e Energjisë që të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës, që të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës të ndarjes së viteve.
”Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjitike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi! Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjitike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës,që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve!”, shkruan Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti reagoi një ditë më parë për krizën energjetike që po përjeton vendi, duke propozuar dy zgjidhjet për këtë situatë, reduktimin ose shtrenjtimin e energjisë.
Kryeministri i Kosovës tha se vendi duhej të kishte menduar më parë për të mos mbërritur në këtë situatë, teksa thekson se faktorët që ndikuan në këtë krizë janë: Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme dhe korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro.
Kurti, përmes një postimi në Facebook bëri thirrje që qytetarët të shpenzojnë energji elektrike në mënyrë racionale.
Kosova është duke u përballur prej ditësh me krizë energjetike. Reduktimet u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut – KOSTT, për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik.
Kriza energjetike po lë me orë të tëra pa energji elektrike qytetarët dhe bizneset të cilat janë gjendur në vështirësi.
Situata është e rëndë edhe në Komunën e Hanit të Elezit, ku qytetarët ankohen se reduktimet po zgjasin me ditë, ndërsa kryetari kësaj komune, Mehmet Ballazhi tha se po dëmtohen edhe bizneset.