Një 35-vjeçar është gjetur i vrarë brenda një makine me targa të huaja në vendin e quajtur Kodër Kamëz rreth orës 20:00.
Viktima Can Karriqi, banues në lagjen nr.1 në Bathore, është gjetur i pajetë.
Karriqi, i cili është qëlluar me 4 plumba, është shok i ngushtë me Erigers Mihasin dhe Armand Dumanin.
Këta dy të fundit u vranë me breshëri kallashnikovi brenda një makine Audi të bardhë në lagjen e Astirit.
Ekzekutimi mafioz i dy shokëve të ngushtë ndodhi mbrëmjen e 13 nëntorit 2021.
Vetë skema e vrasjes dhe saktësia për të qëlluar drejt shënjestrës i çon hetimet drejt pistës së vrasjes me dashje nga vrasës me pagesë.
Mësohet se automjeti tip Audi ku udhëtonin viktimat është qëlluar në ecje dhe më pas ka ndaluar në një pjesë të rrugës, dhe dy mjetet po udhëtonin nga pallati me shigjeta në drejtim të rrethrotullimit të ish sheshit “Shqiponja”.
32-vjeçari Erigers Mihasi sapo ishte kthyer nga Gjermania. Ai ka qenë një nga njerëzit më të besuar të biznesmenit të lojërave të fatit, Vis Martinaj dhe kishte precedentë të mëparshëm penalë.
Ishte liruar nga burgu në vitin 2019 dhe ishte shpallur sërish në kërkim për një arsenal armësh që ishte zbuluar në zonën e Yrshekut.
Mihasi u arrestua për grabitjen e dy prindërve të moshuar të Elton Çiços në Tepelenë, por u la sërish i lirë brenda muajsh.
Së fundi, Mihasi frekuentonte xhaminë, por nuk mundi t’i shpëtojë të kaluarës së tij të errët, ku duket se autorët kishin ende ‘hesape’ të palara.
32-vjeçari dhe miku i tij, Armand Dumani 26-vjeç, vdiqën në vend, brenda mjetit tip “Audi”, teksa po lëviznin nga zona e ish-doganës drejt Pallatit me Shigjeta, rreth orës 19:30.