Berisha dhe mbështetësit ultimatum Bashës: Liro zyrën deri në 5 janar

Mbështetësit e Sali Berishës iu drejtuan sërish sot selisë blu, ku kërkuan që Lulzim Basha, që kuvendi kombëtar i ish-liderit demokrat e ka shkarkuar me votë, të lirojë zyrën.

Anëtarët e Komisionit të Rithemelimit i vendosën si afat Bashës datën 5 janar, në të kundërt paralajmëruan ta bëjnë me forcë një gjë të tillë.

Anëtari i këtij komisioni, Belind Këlliçi, tha se shkresa do i dërgohet përmes postës Lulzim Bashës.

Ai tha se Kuvendi i Partisë Demokratike me datë 11 dhjetor vendosi shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar partie.

Rezultati i tij përfundimtar sanksionon që 43 mijë demokratë kanë vendosur në favor të vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe shkarkimin tuaj”, tha Këlliçi.

Ai, deklaroi se Komisioni i Rithemelimit të PD me anë të këtij komunikimi zyrtar e fton të njihet me vullnetin e PD-së dhe organeve më të larta.

Kërkohet nga ana juaj që të merrni të gjitha masat përkatëse për t’a jetësuar vullnetin e qartë të demokratëve, të shprehur nëpërmjet vendimit të Kuvendit dhe referendumit si mekanizëm i demokracisë së drejtpërdrejtë, duke liruar ambientet e punës së Kryetarit të Partisë, si dhe duke kryer menjëherë dorëzimet përkatëse te Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PDSH, deri më datë 05/01/2022”, tha Këlliçi.

Sipas tij, refuzimi i vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe vullnetit të 43 mijë anëtarëve që ratifikuan vendimin e shkarkimit, do detyrojë anëtarësinë e PD-së të shndërrohet në pëmbaruesin e këtij vendimi politik.

Komisioni për Rithemelimin e PD-së i përbërë nga 29 anëtarë, përfshirë Berishën, pretendon se do të jetë institucioni Kolegjial që do të drejtojë partinë deri në Kuvendin e ardhshëm më 22 Mars 2022, ku do të zgjidhen strukturat e reja drejtuese.