Pronari i nevrikosur hedh në erë Tesla-n prej kostos së ndërrimit të baterisë

Një finlandez që u trondit nga kostoja e ndërrimit të baterisë për “Tesla Model S” dhe vendosi ta hidhte në erë makinën e tij elektrike së bashku me një kukull të Elon Musk brenda saj.

Pronari tha se kishte humbur besimin te kompania pasi iu kërkuan të paguante 20,000 euro për baterinë e re të makinës.

Ai kishte qenë mes blerësve më të hershëm të modelit Tesla Model S, që kanë dalë në shitje në 2012, kështu që i kishte skaduar garancia.

Burri nuk donte të paguante shumën masive prandaj kontaktoi me komentues të tjerë në rrjet dhe bashkë me ekspertët e eksplozivëve të kanalit Pommijätkät, organizuan shfaqjen e shpërthimit të makinës me eksplozivë.
Tesla ishte dërguar në një gropë piktoreske të mbuluar me dëborë diku në Finlandë, ku u instalua ne trup me 30 kilogramë dinamit.

Para shpërthimit, një manekin me fytyrën e njeriut të reklamuar si më i pasuri në botë, Elon Musk, u vendos në karrigen e shoferit.

Kukulla ishte sjellë me helikopter dhe u lëshua në dëborë nga lartësia.
Shpërthimi i organizuar në detaje shkatërroi tërësisht makinën dhe ishte regjistruar nga kamerat në disa kënde.