Kurti vlerëson buxhetin 2022 në takimin me strukturat, VV në zgjedhje vitin e ardhshëm

Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur një mbledhje të brendshme me anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku ka komentuar për buxhetin e vitit 2022, e cila sipas tij do të sjellë zhvillim e solidaritet.

Në mbledhje u fol edhe për zgjedhjet e brendshme të Vetëvendosjes, të cilat do mbahen vitin e ardhshëm.

Kryeministri, Albin Kurti, ka mbajtur mbrëmjen e së shtunës mbledhje të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje, ku ka komentuar buxhetin e vitit 2022.

Lidhur me buxhetin e miratuar të premten, Kurti ka thënë se përmes tij do të mbështeten prodhuesit vendorë e bujqit. Fondi prej 2 miliardë e 748 mln euro do të shkojë edhe për ringjalljen e ndërmarrjeve publike, shtesat për nënat lehona e fëmijët, shtesat për familjet me asistencë sociale e pensionistët, madje edhe për investimet në shëndetësisë, siguri, infrastrukturë, kulturë e rini.

Kryeministri Kurti e cilësoi buxhetin e 2022, më të madhin të miratuar ndonjëherë i cili do të sjellë zhvillim, mirëqeni, solidaritet e investime.

Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar pas mbledhjes se do të përkushtohet në komunat ku ajo qeveris dhe do të jetë opozitë kryesore nëpër komunat tjera të Kosovës.

Në mbledhjen e përbashkët me qendrat u fol edhe për zgjedhjet e brendshme në Vetëvendosje të cilat do të rinisin në fillim të vitit të ardhshëm, të cilat ishin ndërprerë për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.