Vrasja e Jurgen Dukës në market, detyrim paraqitje për shokun e viktimës

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën detyrim paraqitje për Orgest Drazhin, shokun e Jurgen Dukës, i cili mbeti i vdekur në minutat e para të 14 dhjetorit në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë.

Jurgen Duka (Meziri), është konfliktuar me policin Arbër Sula, i cili ishte jashtë shërbimit,  ku ky i fundit e ka qëlluar me armë zjarri.

Sipas informacioneve, sherri ka nisur për arsye banale për radhën në market. Viktima dhe autori ishin futur në market si klientë dhe debati ka nisur se kush do paguante i pari.

Viktima rreth 29 vjeç nuk ka mundur t’u shpëtojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në Spitalin Universitar të Traumës.

Pavarësisht negociatave të shumta për t’u vetëdorezuar , oficeri i policisë në Dibër, Arbër Sula vijon të jetë në arrati për vrasjen e të riut Jurgen Duka.

Mësohet se Jurgen Duka është person me precedent të mëparshëm kriminal. Në 2020-ën ai ra në pranga së bashku me Elison Hysenbelli në kuadër të operacionit anti-drogë mes Italisë dhe Shqipërisë që u zhvillua në Marche, Emilia Romagna, Lombardi dhe Liguri dhe do të ekstradohej drejt vendit fqinj për t’u gjykuar.

Mbetet e paqartë se si viktima u lirua nga qelia. Operacioni “Riviera” u zhvillua nga Prokuroria Rajonale Antimafia në Bolonja, në bashkëpunim me Grupin e Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierisë në Bolonja.