Arrestimi i Lefter Kokës, Rama: Përgjegjësitë janë individuale, jo të PS-së

Kryeministri Edi Rama ka folur edhe njëherë në lidhje me arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka ndërsa theksoi se kush thyen ligjin duhet të përballet me drejtësinë.

Kryeministri tha në Zonë e Lirë  se përgjegjësitë janë individuale dhe kushdo që shkel ligjin duhet të përgjigjet para drejtësisë.

“Nëse shkelin ligjin, të ballafaqohen me drejtësinë. Nuk merrem unë me këtë pjesë. Ata të cilët hetojnë nuk kanë kontestim për procedurën”, tha Rama.

 Sa i përket inceneratorëve, Rama tha se inceneratori është pronë e Bashkisë së Elbasanit, duke përmendur se plehrat nuk shkojnë më në lumenj por kanë një vend të caktuar ndërsa këtë program e quajti histori suksesi.

“Elbasani, Tirana dhe Fieri nuk kanë më ankthin se do digjen plehrat në natyrë. Durrësi po mbytej nga plehrat, pse s’ka më në lajme për plehrat? Ky program është histori suksesi. Në çdo histori suksesi  do ketë të tilla historira dhe kushdo që ka bërë diçka, të shkojë para drejtësisë. Kam përgjegjësi morale dhe politike për veten time kur akuzohem unë. Nëse mua më kërkon drejtësia si të pandehur, unë them që s’e lë këtë barrë në kurriz të partisë. Është njësoj si t’i thuash prindit që fëmija yt 40 vjeç ka bërë një gjë. Drejtësia ka fuqi për të goditur. Të gjithë ministrat duhet ta kuptojë që kjo është çështje fjalësh dhe veprash”, tha Rama.