Partia Socialiste e konfirmon qëndrimin e saj për arrestimin e fundit nga SPAK, ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, të cilin e akuzon për korrupsion për çështjen e inceneratorit të Elbasanit.
Në një takim me studentë të Universitetit të Tiranës, Balla ka diskutuar mes të tjerash edhe lëvizjet e fundit të Prokurorisë së Posaçme. Kreu i grupit socialist thotë se i vjen mirë që veprimet e SPAK-ut po duartrokiten.
“Ju tregova studentëve se pesë vite e ca muaj më parë miratonim në Kuvend ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi, e cila është duke dhënë rezultate të qarta, duke nisur ta transformojë drejtësinë nga themelet, nga hallkën më të kalbur të shoqërisë shqiptare, në një gur themeli të një shteti të mirëfilltë europian, ku ligji vjen përpara gjithçkaje e ku ligji i trajton të gjithë si të barabartë. E pra, sot ne socialistët jemi më shumë krenarë për votën e dhënë për Reformën në Drejtësi. Sot me rezultatet e dukshme dhe punën e SPAK-ut, të Gjykatës Kushtetuese etj., të gjithë mund të vërejnë qartë se sa e rëndësishme ishte Reforma në Drejtësi për të ardhmen e vendit tonë. Më vjen mirë që veprimet e SPAK-ut po duartrokiten. Ka qenë dhe mbetet qëndrimi i Partisë Socialiste: Kushdo qoftë i akuzuari nga SPAK-u, pa dallim partie duhet të perballet vetë me akuzën! Partia Socialiste nuk i ka askujt asnjë borxh dhe i sugjeroj çdo partie në Shqipëri ta ndjekë këtë qasje. Është reforma në drejtësi, ajo që ka vendosur Shqipërinë në rrugën e Europës! Ata që e shanë, u munduan ta pengojnë, apo që u zotuan ta çbëjnë, duhet të kërkojnë falje”, ka shkruar Balla.
Arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka e komentoi edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se nuk i bën përshtypje. Kjo sepse për të, investimi për inceneratorin e Elbasanit është aty për qytetarët dhe së dyti sepse ky është një tregues i qartë që Reforma në Drejtësi funksionon. Ky është reagimi i parë i shefit të qeverisë për një nga arrestimet më të bujshme të SPAK të ditëve të fundit dhe këtë ka zgjedhur që ta bëjë duke iu përgjigjur një komentuesi në Facebook.
SPAK prangosi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan. SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, tre akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë “Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. Nga ana tjetër, janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugalli, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe Klodian Zoto.
Burimi: Shqiptarja.com.