Shpërblimi i fundvitit, Manastirliu: Përfitojnë 66 mijë familje me ndihmë ekonomike dhe 72 mijë persona me aftësi ndryshe

Qeveria shqiptare në mbledhjen e sotme ka vendosur që të mbështesë me paketën e solidaritetit (shërblimin e fundvitit) disa kategori në nevojë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri me dije se nga paketa e solidaritetit të fundvitit do të përfitojnë 3,000 lekë (të reja) të gjithë familjet që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike si dhe personat me aftësi të kufizuara.

Qeveria ka vendosur shpërblimin e fundvitit për familjet në ndihmë ekonomike dhe janë rreth 66 mijë familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike, të cilat do të përfitojnë nga paketa e solidaritetit. Gjithashtu të gjithë ata përfitues të skemës së pagesave të aftësisë së kufizuar, janë rreth 72 mijë individë, të cilët do të përfitojnë shpërblimet e fundvitit”, bëri me dije Manastirliu.

Fondi që qeveria shqiptare do të vërë në dispozicion për shpërblimin e fundvitit për këto kategori është rreth 4 milionë dollarë, pa përfshirë këtu kategorinë e pensionistëve.