SPAK ka “mësyrë” ditën e sotme në banesën e ish-ministrit të mjedisit Lefter Koka duke i vënë prangat.
Ish-ministri i LSI-së u arrestua sot rreth orës 11:30 në shtëpinë e tij në Durrës, për dosjen e inceneratorit në Elbasan.
Urdhër Arresti është kërkuar nga prokurori Klodian Braho dy ditë më parë dhe është firmosur nga gjyqtari Erion Bani, teksa ekzekutimi është bërë mesditën e kësaj të marte.
Ndaj tij rëndojnë 3 akuza për veprat penale, për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion.
Bashkë me të janë arrestuar edhe 2 persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk dihet ende. Detaje të reja priten të mësohen në vijim nga operacioni i SPAK.
Kush është Lefter Koka?
Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI.
Lefter Koka ka përfunduar studimet në Fakultetit e Shkencave Juridike në Strugë.
Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat.
Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa prej vitit 2009 është deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndryshe nga shumica e deputetëve të opozitës, Lefter Koka nuk pranoi ta djegë mandatin e deputetit. Më 1 shtator, deputeti i zgjedhur i PS-së, Lefter Koka, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit të fituar në zgjedhjet e 25 prillit në Durrës.
Burimi: Shqiptarja.com