21-vjeçarja nga India, Harnaaz Sandhu, rrëmbeu kurorën e Miss Universe në qytetin izraelit, Eilat, teksa konkurrentet sfiduan presionin për të bojkotuar eventin në mbështetje të palestinezëve.
Edicioni i 70-të i konkursit vjetor, i mbajtur për herë të parë në Izrael, është përballur gjithashtu me vështirësi për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Sandhu mori çmimin kryesor e ndjekur nga Nadia Ferreira e Paraguait shoqëruese e parë dhe Miss Afrika e Jugut Lalela Mswane që zuri vendin e dytë. Më herët, Ministria e Kulturës dhe Arteve e Afrikës së Jugut i kishte kërkuar garueses të qëndronte larg Eilatit, duke përmendur “mizoritë e kryera nga Izraeli kundër palestinezëve”.
“Ne u bëjmë thirrje të gjithë konkurrenteve të tërhiqen, për të shmangur pjesëmarrjen në regjimin e aparteidit të Izraelit dhe shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj palestinezëve”, paralajmërohej nga një organizatë Palestineze për Bojkotin Akademik dhe Kulturor ndaj Izraelit.
Të pyetura në lidhje me këtë presion kunkurrentët u shprehen se eventi duhet të qendrojë larg politikës.
80 pjesëmarrëset në konkursin, i cili ishte në bashkëpronësi të Donald Trump përpara se të bëhej president i SHBA-së, janë të moshës 18 deri në 28 vjeç, dhe nuk duhet të jenë të martuara apo të kenë fëmijë.
Sipas organizatorëve, ceremonia e kurorëzimit u ndoq nga 600 milionë shikues nga 172 vende të ndryshme të botës.