Vranë biznesmenin e njohur në Laç/ Arrestohen autorët e dyshuar babë e bir

Dy autorët e dyshuar të vrasjes së 55-vjeçarit Rakip Roli në Laç kanë rënë në prangat e policisë.

Skënder dhe Ilaj Lika janë prangosur në zonën e Fushë Milotit nga forcat policisë së Komisariatit të Kurbinit.

Në lidhje me ngjarjen është ndaluar dhe një person i tretë, emri i të cilit nuk është bërë ende i ditur. Ai dyshohet se ndihmoi për t’u fshehur babë e bir.

Rakip Roli, i njohur më së shumti si Pilot Roli ishte një biznesmen materialesh ndërtimi në zonën e Sanxhakut.

Ai u ekzekutua me armë zjarri këtë të premte, 10 dhjetor 2021 në një atentat të organizuar vetëm pak metra larg banesës së tij në orën 08:45 në Sanxhak, në dalje të qytetit të Laçit.

Ai është qëlluar disa herë me armë zjarri që dyshohet të jetë automatik dhe si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në vend.

I ndjeri po udhëtonte me automjetin e tij tip “Audi” ku dy persona i kanë ndërprerë rrugën dhe e kanë qëlluar me breshëri automatiku, ndërsa makina ka devijuar në kanalin kullues anash rrugës.

Biznesmeni Rakip Rroli ka qenë i dënuar disa vite më parë për rrahje, ku dhe ka vuajtur dënimin në burgun e Shënkollit në Lezhë dhe pas lirimit është marrë me biznes.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2011, ku së bashku me një person tjetër kanë dhunuar me sende të forta një 22-vjeçar, duke e plagosur rëndë pas një sherri për motive banale.

Mësohet se dy djemtë e tij, Emiljano dhe Sokol Rroli, janë personazhe të njohur në botën e krimit, pasi janë akuzuar për trafik droge në vitin 2017.

Madje një prej tyre mbeti i plagosur, pasi për të mbërritur sa më shpejt në vendngjarje është aksidentuar me makinë duke u përplasur me një shtyllë elektrike në krah të rrugës.

Rakip Rroli dhe familja e tij kanë disa biznese, përfshirë mjete të transportit të rëndë, si dhe një pikë materialesh ndërtimi.