Nisin përmbytjet/ Del lumi në Fier e Vlorë, nën ujë disa fshatra

Disa fshatra janë përfshirë nga përmbytjet pasi lumenjtë dolën nga shtrati.

Një familje në Novoselë të Vlorës, për t’i shpëtuar përmbytjes qëndroi në çatinë e shtëpisë derisa u evakuua.

Intensiteti i reshjeve të shiut shkaktoi daljen nga shtrati të  lumit Vjosa duke çarë argjinaturën e përmbytur shtëpitë në fshatin Fitore.

Në terren ndodhet shtabi i emergjencave dhe kryetari i bashkisë, ndërsa banorët janë njoftuar të marrin masa për evakuuim. Deri më tani janë larguar 11 familje, ndërkohë që vijon të ketë rritje të prurjeve në lumë.

Situatë problematike për shkak të reshjeve që vazhdojnë prej disa ditësh paraqitet dhe në Himarë.

Lumi Shushica ka shkatërruar tërësisht urën e fshatit Kallarat në bashkinë e Himarës.

Një situatë problematike është edhe në Fier, nga ku 20 banesa që ndodhen pranë shtratit të lumit Vjosë në Ferras janë përmbytur.

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar daljen e lumit nga shtrati, ndërsa në terren po punohet me eskavatorë, për të hapur kanalet kulluese.

Banorët thonë se kjo situatë po përsëritet çdo vit.

Në Fier, ka dhe probleme me energjinë elektrike në disa fshatra. Raportohet se nënstacioni i Poçemit ka ndalur punën që nga ora 01:30 e mëngjesit.

Rreth 3700 abonentë janë aktualisht pa drita, në Hekal , Fratar, Selitë dhe Kutë.