Basha nis ‘hakmarrjen’, Këshilli Kombëtar nis votimin për shkarkimet e anëtarëve të kryesisë ”berishane”! Miratohet rezoluta

Pasi Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Sali Berisha shkarkoi Lulzim Bashën dhe ka caktuar një referendum ‘një anëtar, një votë’ për ta ratifikuar këtë vendim, kreu i PD-së ka thënë hapur se nuk e njeh asnjë vendim të marrë ditën e djeshme dhe ndërkohë ka përgatitur planin për të vepruar kundër Berishës.

Kryetari i Partisë Demokratike ka thirrur ditën e sotme Këshillin Kombëtar, anëtarët e të cilit në nisje të mbledhjes e kanë pritur Bashën me duartrokitje. Nga rreth 480 anëtarë, mësohet se kanë marrë pjesë 290 anëtarë, nga 250 që është numri i nevojshëm për të mbledhur Këshillin Kombëtar.

Pas më shumë se 2 orësh mbledhje, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar rezolutën e posaçme e cila u propozua nga kryetari Lulzim Basha një ditë më parë pas Kuvendit të Berishës. Në rezolutën e miratuar nga anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së theksohet se Kuvendi i Berishës është nul dhe për to nuk ka asnjë vlerë politike, ndërsa shtohet se ai ka vepruar si Enver Hoxha, ku ka themeluar një organizatë anti-amerikane, nga e cila distanohen me forcë. Po ashtu, Këshilli Kombëtar ‘mandaton’ Lulzim Bashën të mbroje me forcë vlerat e Partisë Demokratike. Këshilli Kombëtar i PD-së, ka vendosur që për shkarkimet votimi të jetë i fshehtë.

Është zbardhur pjesë nga rezoluta që po prezanton kryetari i Partisë Demokratike para anëtarëve të këshillit Kombëtar të PD-së, mbledhje e cila ka vetëm pak minuta që ka nisur, Kryetari i PD-së, ka thënë se dje u themeluar organizata e parë anti-amerikane, në 30 vite pas asaj të Enver Hoxhës.

Kjo mbledhje është konsideruar nul dhe e paligjshme nga ‘Komisioni i Rithemelimit’, një institucion i krijuar nga Sali Berisha dje në Kuvendin e tij Kombëtar. Sipas mbështetësve të Berishës Kuvendi Kombëtar dje ka mandatuar Komisionin e Rithemelimit për të përmbushur vakuumin e krijuar deri në zgjedhjen e kryetarit dhe Kryesisë së re!

Komisioni e nis ditën e parë të punës me një ‘gafë’, duke e konsideruar shkarkim të Bashës vendimin e djeshëm të Kuvendit por që në fakt ka një referendum që po i njëjti Kuvend ka përcaktuar për më 18 dhjetor që ta ratifikojë këtë vendim.

Pra, vetë Berisha ka thënë që shkarkimi i Bashës do të bëhet me ‘një anëtar, një votë’, po Berisha thotë që shkarkimi ndodhi dje në Kuvend.

Në një deklaratë mbrëmjen e djeshme, Basha bëri me dije se pritet të shkarkohet kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka dhe anëtarët kryesisë që nuk mbështetën 18 dhjetorin, por dolën hapur krah Sali Berishës të shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA. Për të bërë të mundur thirrjen e Këshillit, Basha ka vendosur edhe shkarkimin e 4 sekretarëve, Belind Këllëçit, Ervin Minarollit, Ledina Mandinës dhe Ivi Kasot, ku pritet dhe zëvendësimi i tyre me emra të rinj.

Kryedemokrati është kujdesur të theksojë se ai do të vijojë ta drejtojë Partinë Demokratike, ndërsa mbrëmjen e djeshme ka përdorur një retorikë të ashpër kundrejt Berishës, duke e quajtur atë mbeturinë të ‘komunizmit dhe korrupsionit’ që do i vijë fundi në 18 dhjetor, në Kuvendin e thirrur nga Basha.

Këto vendime vijnë si një përgjigje për Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha, ku nga 4491 delegatë që votuan, 4446 ishin pro shkarkimit të tij, kundër 36 e ndërsa 9 vota të tjera u shpallën të pavlefshme. Gjithashtu, në këtë Kuvend u ndryshua statuti i PD-së, si edhe u miratua edhe ngritja e një Komisioni të quajtur ‘Komisioni i Rithemelimit të PD’ me 29 anëtarë në përbërje që do ta marrë në dorë partinë deri më 22 mars 2022 kur do të thirret një Kuvend i ri, megjithatë këto vendime Basha tha dje se nuk do i njohë.

Prej 9 shtatorit, kur dhe Berisha u pezullua nga grupi parlamentar, në selinë ka nisur një luftë mes njëri-tjetrit, duke bërë një parti e cila është më e ndarë se kurrë në historinë 31-vjeçare të themelimit të saj. Ironike në të gjithë këtë histori, është se përçarja arriti kulmin në ditën e themelimit të saj, në 11 dhjetor.

Demokratët që munguan në mbledhjen e Kryesisë dhe pritet të shkarkohen nga Basha

Edi Paloka (Kryetar i Këshillit)
Belind Këlliçi
Ivi Kaso
Albana Vokshi
Aldo Bumci
Gent Strazimiri
Gert Bogdani
Oerd Bylykbashi
Flamur Noka
Ervin Minarolli
Ledina Mandia

Diskutime në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD

Flutura Açka: Kur kam ardhur në PD, mendova që dija shumë, por në fakt e kam mësuar në bazë, me njerëz të ndershëm. Nuk është thjesht me kë je, me Bashën a me Berishën?  E kam votuar Berishën 30 vite, me kënaqësi mjaft që demokratët janë në pushtet. Berisha ka një plage, ne duhet ta ndihmojmë të shërohet nga vetvetja. Dje tregoi që nuk e bën dot, sot na duhet ta bëjmë ne.

Nevila Xhindi: Në 9 shtator i thashë Bashës tani je kryetari i partisë. Ajo që dua të them është se në pushtet nuk të sjellin servilet. Stop! Duhet ndarë. Na jepni zë dhe ne, mos i mbaj të gjitha për vete. Në këtë rrugë do të duhen ca fytyra të mira, të papërfolura. Kam problem me përfasqësimin. Njerëzit jo zgjidhi, por të zgjedhim ata që do të na sjellin në pushtet.

Julian Beqiri: Jam arkitekt. E djathta sot është nën një treg të hapur politik. Ka mundësi të zgjedhë PD dhe PD të pretenduar. Është koha që t’u drejtohemi të gjithë shqiptarëve, jo vetëm demokratëve. Të përpiqemi të mendojme si europianë. Ka shumë shqiptarë që janë të ngopur me Ramën, por kurrësesi nuk shkojnë pas zotit Berisha.

Agron Kapllanaj: PD është aset kombëtar, është shpresë për shqiptarët. Prandaj ky është moment historik. Nuk kam asgjë me atë pjesë të demokratëve që ishin dje aty në miting. Kanë qëllime. Por nuk mund të pajtohemi kurrë me ata që organizuan atë miting, ata që po kërkojnë ta përçajnë. Ne nuk shajmë nuk fyejmë, ne do punojmë për këtë parti. Prandaj më 18 dhjetor demokratët duhen të jenë në Kuvend dhe ta mbushin atë shesh. Nuk jemi në betejë për Lulzim Bashën, por për të ardhmen e PD, e cila është alternativë për të ardhmen e vendit.

Roland Bejko: Ne nuk duhet të injorojmë takimin e djeshëm, sado të ishin, megjithëse ishin më pas sesa duhen për të nxjerrë një deputet, Ata janë demokratë. Berisha e mblodhi Kuvendin për interesin e vet personal, që të merrte partinë.. Më vjek keq në këtë pozitë të vështirë. Për një burë shteti interesi i përgjithshëm duhet të prevalojë mbi interesin personal. Dje u mor edhe me punët e bashkisë, aty mendova nuk ka kuorum. Çfarë të bëjmë? Di që partia është formacion disipline. PD nuk është pronë personale, është sakrifica e mijëra demokratëve, shkruan Shqiptarja.com. Kush do ta mbaje partinë të bashkuar? I bie kryetarit që është zgjedhur, kryetarit legjitim. Ne nuk duam të kalcifikoheni. Të mbajmë parti të vogël. Nuk themi dot ne jemi me të mirët. Zoti Basha ju del detyrë të kapërceni Sali Berishën, të kapërceni veten. Kuvendi i 18 është sfida juaj që je kryetar i vetëm, pa pengesë, me mbështetjen e kryesisë, të këshilli kombëtar dhe të Kuvendit. Qëndrimi juaj duhet të binde ata demokratë që ju do të bëni një PD që të gjithë e duam. Do te jetë një kuvend i vështire, por është detyra juaj të jeni bindës, të krijoni një perspektivë të qarte. Të ftojmë demokratët të jenë këtu me ne, të marrim sanksionet ndaj atyre anëtarëve të kryesisë që nuk respektuan vendimin.’- tha Bejko.

Jemin Gjana: Jam sot se jam votuar për të vënë një institucion legal në PD. Jam votuar nga ju që jeni sot këtu nga disa që ishin dje aty. Jam këtu sepse i vetmi individ, ndjesë për modestinë, kam 30 vite e 3 muaj dhe kam marrë pjesë në Kuvendin e parë të PD-së, që jam pjesë e kësaj trupe pa asnjë ndërprerje. Nuk e ka askush këtë luk do ta quaj. Në kryesi u ka thënë kolegëve që asnjëherë që nga dita e parë e deri më sot nuk jam as me Berishën, as me Selamin, as me Shehun e as me Bashën. Jam me PD-në. Dhe jam sot këtu se kam qenë 30 vite pa ndërprerje tek institucionet legale të PD-së. Jam pro vendimeve të marra në kryesinë e PD-së. Nuk do të përjashtojmë ata që kanë shkuar në stadium, se janë të lirë të shkojnë kudo. Ata që kanë bërë një grup 29 anëtarët e komisionit të Rithemelimit,  siç kemi bërë në ’97, ata nuk mund të jenë në 2 vende. Jam pro rezolutës, por dua të them se ne kemi lëshuar terren pas 15 nëntorit.  Por njerzit nuk i lëshuam dhe nuk duhet t’i lëshojmë njerëzit. Trupa e PD-së, duhet të shtrihet në terren.

Burimi: Shqiptarja.com