Kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, të cilit iu besuan edhe formularët e firmosur nga delegatët, hapi sot Kuvendin Kombëtar të PD-së në stadiumin “Air Albania”.
Paloka përmendi 4200 delegatët, që kanë firmosur fillimisht për të kërkuar mbledhjen e këtij Kuvendi. Sot, thotë ai, numri i firmëtarëve është shumë më i lartë sesa ai i ditëve të para.
“Kriza e paprecedent ku gjendemi sot si pasojë e dështimeve të njëpasnjëshme për të përmbysur një regjim të korruptuar, armik të demokracisë por mbi të gjitha pozicionimi që kryetari aktual i bëri PD pas 25 prillit jo përballë regjimit por për fat të keq çdo ditë e më shumë në krah të tij duke e kthyer PD në një opozitë fasadë. Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur sot këtu për të kuvenduar.Jemi mbledhur për të kthyer shpresën dhe besimin jo vetëm te demokratët por te gjithë shqiptarët që kërkojnë ndryshim.
Opozita e vërtetë, kjo këtu, nuk ka vdekur dhe as nuk ka ulur kokën dhe ca më shumë nuk hyn në pazare me Ramën por është më e gatshme se kurrë për tu përballur me regjimin ashtu si ky regjim e meriton. Ka nga ata që pyesin pse pikërisht tani dhe jo më parë.25 prillin e konsideruam me të drejtë masakër zgjedhur se ashtu ishte por ne e dinim se me Ramën nuk mund të prisnim asgjë tjetër. Të gjithë ne drejtuesit e PD mbajmë përgjegjësi që nuk arritëm të përkthejmë në fitore dëshirën e shqiptarëve për ndryshim.Premtuam se nuk do njohnim 25 prillin por do fillonim betejën më të ashpër ndaj regjimit. Por çfarë ndodhi? Në vend të betejës me Edi Ramën na dhanë luftën mes njëri-tjetrit”.
Largimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, ai e quan si një “bombë” që tronditi demokratët. “Akti i 9 shtatorit solli me të drejtë reagimin e demokratëve. Kjo solli përçarje që vazhdon të nxitet dhe provokohet nga zyrat e selisë së PD ku për fat të keq sot drejtojnë personazhe që nuk shqetësohen edhe nëse PD shkatërrohet” thotë ai.