4,446 delegatë që morën pjesë në Kuvendin Kombëtar të PD-së, të thirrur nga Sali Berisha votuan sot për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të demokratëve.
Kuvendi shkarkoi me votim të fshehtë Bashën, me arsyetimin se ka kryer thyerje të rënda të statutit dhe dëmtim të interesave politike dhe elektorale të saj, ndërkohë që i ka hequr funksionet edhe Kryesisë, me argumentin se nuk janë zgjedhur në konform statutit.
Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Lulzim Bashës do të kalojë për votim në bazë në datën 18 dhjetor, ditën kur Basha mban Kuvendin Kombëtar.
Një ndër vendimet ishte dhe shfuqizimi i urdhrit të Lulzim Bashës për të pezulluar nga grupi parlamentar i PD-së, Sali Berishën. Kjo e sotmja, sipas Berishës ishte ringritja e Partisë Demokratike.
Vendimet e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit do të shkojnë në gjykatë.
Për këtë proces, Kuvendi ka miratuar edhe një Komision Rithemelimi prej 29 anëtarësh që pritet të marrë në dorë drejtimin e partisë deri më 22 mars të 2022, kur do të thirret një Kuvend i ri.