Demokratët mbushin stadiumin “Air Albania”/ Berisha mban Kuvendin Kombëtar, Basha kujton 31-vjetorin e partisë në seli

Demokratë të thjeshtë dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar janë mbledhur në stadiumin “Air Albania”, ku do të mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së, i thirrur nga Sali Berisha.

Ish-lideri demokrat zgjidhi 11 dhjetorin, si ditë e shënuar për të djathtën. Partia Demokratike feston sot 31-vjetorin e themelimit. Por kjo datë e gjen partinë më të përçarë se kurrë.

Kryedemokrati Lulzim Basha e quan miting kuvendin e Berishës, ndërsa ai dhe PD-ja zyrtare kanë thirrur Kuvendin në 18 dhjetor.

Në nisje të kuvendit, po bëhet verifikimi i mandateve të delegatëve, të cilët më pas do të duhet të votojnë disa qendra votimi të ngritura rreth stadiumit për propozimet e ish-kreut të PD-së.

Verifikimi i delegatëve do të bëhet në mënyrë elektronike, përmes një karte me të cilën ata janë pajisur paraprakisht, nga grupe të rinjsh.

Mbi kartë janë të shënuara të dhënat e tyre, si emër, atësi, mbiemri, pozicioni politik në parti, dega ku bëjnë pjesë dhe një kod sigurie që do t’i  mundësojë Komisionit të Verifikimit të mandateve që do të ngrihet po nesër në kuvend për verifikimin e tyre.

Në Kuvend do të propozohen disa ndryshime statutore, për të cilat ka punuar një grup ekspertësh që iu bashkuan Sali Berishës, si Arben Ristani dhe Oerd Bylykbashi.

Dy më të rëndësishmet, miratimi i Nenit “Basha”që përcakton se kryetari shkarkohet automatikisht nëse humb zgjedhjet e përgjithshme ose kalon në votëbesim nëse humbet ato lokale, dhe përfshirja e anëtarësisë në marrjen e vendimeve nëpërmjet referendumit.

Ndërsa vetë kryedemokrati do të jetë brenda selisë së PD në të njëjtën orë kur do të zhvillohet edhe Kuvendi i Berishës.